Spanja i regjistron 462 viktima të Coronavirusit për një ditë

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, 462 persona kanë vdekur dhe rreth 4500 janë infektuar me Coronavirus në Spanjë. Këto shifra e kanë çuar në 2182 numrin e përgjithshëm të viktimave, kurse në mbi 33 mijë numrin e të infektuarve.

Sipas autoriteteve, mbi 2300 persona të infektuar ndodhen nën kujdes intenziv, ndërsa rreth 3350 janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.

Të hënën, një zëdhënës i qeverisë konfirmoi se rreth 12 për qind e personave të infektuar janë punëtorë të sektorit të shëndetësisë.

Gjatë fundjavës, në Madrid u panë skena të tmerrshme. Spitalet janë mbushur me pacientë dhe disa prej tyre u panë të shtrirë nëpër korridore, shkruan “Anadolu”.

Autoritetet po i shndërrojnë në spitale objektet e tjera, përfshirë një qendër të konferencave në Madrid. Të tilla spitale pritet të përgatiten edhe në pjesët e tjera të vendit.

Kryeministri spanjoll njoftoi të dielën se karantina mbarëkombëtare do të vazhdojë të mbetet në fuqi të paktën deri më 12 prill.

Spanja është vendi më i goditur nga Coronavirusi në Evropë pas Italisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme