Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez ka thënë se Spanja do të kundërshtojë një draft marrëveshje për Brexitin pa u qartësuar në tekst për bisedimet e së ardhmes për statusin e Gadishullit të Gjibraltarit.
Spanja ka pretendime për këtë Gadishull, i cili i është dorëzuar kurorës britanike sipas Traktatit të Utrehtit më 1713.
Prandaj ky shtet kërkon të sigurohet se bisedimet në të ardhmen në mes të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, nuk përfshijnë këtë Gadishull.
“Nëse gjërat vazhdojnë kështu dhe nuk ka ndryshime për Gjibraltarin, Spanja do të votojë kundër Brexitit”, ka thënë Sanchez.
Përgjatë negocitatave për Brexit, Spanja, së bashku me Irlandën dhe Qipron kanë zhvilluar bisedime të ndara me Mbretërinë e Bashkuar lidhur me çështjet kufitare.
Të hënën, ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrell ka thënë se marrëveshja për Brexit ka dështuar që të qartësojë se bisedimet për Gjibraltarin përbëjnë “negociata të ndara” dhe nuk janë pjesë e bisedimeve në të ardhmen në mes të BE-së dhe Britanisë.
Sanchez ka vënë theksin në këto deklarata në një forum që është mbajtur të martën në Madrid, duke thënë se negociatat e ardhshme për Gjibraltarin duhet të jenë bilaterale.
“Si shtet në nuk mund të sigurojmë se çfarëdo që ndodh në të ardhmen me Gjibraltarin do të negociohet nga Britania dhe BE-ja, sepse duhet të negociohet në mes të Spanjës dhe Britanisë”, ka thënë ai.
Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.
Britania pritet të largohet nga blloku evropian në mars të vitit 2019.