Spanja nga e marta do t’i lejojë fluturimet dhe lundrimet e drejtpërdrejta me Italinë pasi një gjë e tillë ishte ndaluar më 11 mars si pjesë e masave kundër përhapjes së Coronavirusit.
Rënia e konsiderueshme e numrit të viktimave e ka inkurajuar qeverinë spanjolle që ta fillojë lehtësimin e masave. Megjithatë, vendi i varur nga turizmi si duket duhet të pres deri në fund të qershorit për t’i mirëpritur turistët e parë.
Kryeministri Pedro Sanchez është duke u përgatitur që të kërkojë nga kuvendi që gjendja emergjente të zgjatet deri në fund të qershorit. Kjo masë ka ndikuar në kufizimin e infektimeve, por ka sjellë edhe kufizime të pashembullta në lirinë e lëvizjes, duke shkaktuar kështu dëm të madh ekonomik.
Në kulmin e pandemisë, Spanja shënonte mbi 700 viktima në ditë, por shifra ditore e të vdekurve nga koronavirusi të hënën ishte vetëm 59, që paraqet nivelin më të ulët në dy muajt e fundit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Më shumë viktima se Spanja kanë shënuar Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia dhe Franca.