Spanja është bërë vendi i katërt i Evropës Perëndimore që kaloi 2 milionë raste me COVID-19, treguan të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të enjten, ndërsa shkalla e infeksionit vazhdon të rritet, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.
Ministria njoftoi 42,360 raste që nga e marta, duke e çuar totalin në 2,024,904. Numri i të vdekurve u rrit me 245 në 51,675.
Autoritetet në rajonin verior të vendit njoftuan se do të marrin masa për frenimin e rasteve, duke mbyllur qendrat tregtare dhe palestrat. Po ashtu nuk do të lejohet udhëtimi i qytetarëve jashtë rajonit. Edhe në Verilindje janë shtuar masat kufizuese pasi qytetarët janë këshilluar që të qëndrojnë në shtëpi për 10 ditët e ardhshme dhe mund të dalin vetëm për nevoja urgjente.
Ndërkohë në këtë shtet ka nisur procesi i vaksinimit dhe deri tani e kanë marrë vaksinën rreth 207,323 qytetarë.