Spanja po përballet me valën e tretë të pandemisë

Prishtinë | 19 Dhj 2020 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Një paralajmërim i tillë është bërë derisa Italia ka njoftuar masa të reja të kufizimit, të cilat mund ta vënë vendin në izolim të plotë gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Ndërkaq Suedia ka rekomanduar për të parën herë bartjen e maskave në mjetet e transportit publik, derisa ka regjistruar të premten shifrën më të lartë të infektimeve të reja ditore qysh nga fillimi i pandemisë

Qeveria spanjolle ka paralajmëruar të premten se vendi është duke u përballur me “një valë të tretë” të përhapjes së COVID-19 dhe ka njoftuar se faza e parë e vaksinimeve kundër sëmundjes do të fillojë më 27 dhjetor.

Një paralajmërim i tillë është bërë derisa Italia ka njoftuar masa të reja të kufizimit, të cilat mund ta vënë vendin në izolim të plotë gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Ndërkaq Suedia ka rekomanduar për të parën herë bartjen e maskave në mjetet e transportit publik, derisa ka regjistruar të premten shifrën më të lartë të infektimeve të reja ditore qysh nga fillimi i pandemisë. Autoritetet shëndetësore të këtij vendi kanë raportuar për 9.654 raste të reja të infektimit me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit.

Në Francë presidenti Emmanuel Macron ka vazhduar vetizolimin pasi të enjten rezultoi pozitiv në testin për COVID-19. Të premten kryeministri sllovak, Igor Matoviq, i cili kishte marrë pjesë në samitin e javës së shkuar të BE-së bashkë me Macronin, ka njoftuar se gjithashtu është prekur nga virusi pandemik.

“Mund të jemi në fillim të një vale të tretë, po qe se nuk i ndërmarrim masat e duhura”, ka paralajmëruar të premten ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa. “Duhet që të reagojmë”.

Derisa Spanja vazhdon të jetë në gjendje të jashtëzakonshme dhe nën masën e orës policore gjatë natës, druhet se periudha e festave mund të shpjerë drejt rritjes drastike të rasteve, ani pse tubimet janë kufizuar në maksimum gjashtë dhe 10 persona, varësisht prej rajonit.

Illa ka thënë se zbutja në nëntor i disa prej masave më të ashpra nëpër rajone të caktuara ka ndikuar në nxitjen e shtimit të infeksioneve.

Megjithëkëtë, ai ka përjashtuar izolimin strikt të fillimit të pranverës dhe verës së hershme, duke thënë se “rrethanat nuk e bëjnë të domosdoshëm izolimin e tërësishëm – as tani dhe as në një të ardhme shumë të afërt”. Por kjo gjë mund të ndryshojë, ka paralajmëruar ai.

Qeveritë rajonale të Spanjës kanë përplasje me Qeverinë qendrore për sa i përket përgjigjes ndaj pandemisë, teksa secila prej tyre ka përgatitur plane të veçanta për periudhat dhjetor-janar.

Qeveria qendrore në Madrid, e cila ka lejuar mbajtjen hapur të bareve dhe restoranteve gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, ka njoftuar të premten se ka marrë një vendim “tepër të dhembshëm” për t’i kufizuar tubimet për rastet e festave në vetëm gjashtë persona. Qeveria katalonjase nuk ka lejuar tubimin e më shumë se gjashtë vetave në një vend, ndonëse tavani do të përcaktohet deri në 10 persona gjatë 24, 25, 26 dhe 31 dhjetorit, si dhe 1 dhe 6 janarit.

Që nga fillimi i pandemisë Spanja ka regjistruar mbi 1 milion e 700 mijë raste të infektimit me koronavirus dhe 48.777 vdekje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme