Spanja pritet ta vazhdojë gjendjen emergjente edhe për dy javë

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Spanja duket se do ta vazhdojë gjendjen emergjente edhe për dy javë të tjera, ndonëse i ka lehtësuar disa masa të kufizimeve.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, pritet të sigurojë vota të mjaftueshme nga deputetët të mërkurën për zgjatjen e afatit të gjendjes emergjente.

Koalicioni i dobët qeveritar i kryeministrit Sanchez e ka përkrahjen e partisë nacionaliste baske, PNV, dhe partisë së qendrës së djathtë, “Ciudadanos”, të cilat një ditë më parë deklaruan se do ta përkrahin zgjatjen e gjendjes emergjente, që fillimisht ishte planifikuar të mbetej në fuqi deri të shtunën e 9 majit.

Në një mjedis të brishtë politik në qeveri, kjo nënkupton se pushteti i ka të garantuara votat për zgjatjen e gjendjes emergjente, ndonëse ekzekutivi e humbi përkrahjen e konservatorëve të opozitës nga Partia Popullore, të cilët u shprehën kundër zgjatjes së kësaj gjendjeje.

Nëse miratohet në kuvend, kjo do të ishte zgjatja e katërt dyjavore e gjendjes emergjente në Spanjë. Kryeministri Sanchez thotë se gjendja e jashtëzakonshme është e nevojshme për kufizimin e lëvizjes, shkruan “The Guardian”.

Deri më tani, Spanja i ka regjistruar mbi 25 mijë viktima të koronavirusit dhe ekonomia e vendit është tkurrur për 5.2 për qind në tre muajt e parë të këtij viti për shkak të pandemisë.

Të ngjashme