Prokuroria e Specializuar e Hagës po synon që t’ua vazhdojë paraburgimin krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Madje, për këta dy të fundit, të cilët janë në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar, Prokuroria e Specializuar e Hagës po argumenton se nuk kanë ndryshuar ende rrethanat për mbrojtjen në liri të tyre, shkruan lajmi.net.
Në një parashtresë prej gjashtë faqesh, ZPS e ka përdorur një deklaratë të sekretarit aktual të OVL-së, Faton Klinaku, si provë që sipas tyre lirimi i Gucatit e Haradinajt do të përbënte rrezik që veprat penale për të cilën akuzohen ata, të përsëriten.
ZPS, në parashtresën e saj citon deklaratën e Klinakut ku thotë se do të publikojë çfarëdo materiali që i vije nga Specialja, qoftë ai edhe konfidencial, ashtu siç kishin bërë Gucati e Haradinaj.
“Rrjeti i të Akuzuarve i veteranëve të luftës së UÇK-së mbetet i gatshëm të pengojë procedurat, të tilla që rreziqet e Nenit 41 (6) (b) do të bëhen plotësisht të pakontrollueshme nëse i Akuzuari do të lirohet nga paraburgimi. Më 4 qershor 2021, Faton KLINAKU, kryetari i përkohshëm i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dha një intervistë me të cilën ai premtoi se do të botojë Dokumentet e DSK-së nëse i merr ato. Kjo është e jashtëzakonshme, duke theksuar se Z. KLINAKU është kryetari i përkohshëm sepse GUCATI dhe HARADINAJ po ndiqen penalisht para DSK për sjellje identike. Që ligji nuk është asnjë kufizim për kryetarin e përkohshëm OVL UÇK-së është emblematikë e largësisë që mbështetësit e të Akuzuarve janë të gatshëm të shkojnë për të penguar këto procedura, dhe vërtet këtë gjykatë”, pretendon në parashtresat e saja Zyra e Prokurorit të Specializuar.
ZPS tutje në shkresën e saj ka thënë se Gucati e Haradinaj rrezikojnë 10 vjet burg, dhe sipas tyre duke pasur parasysh gjatësinë e dënimit, lirimi i përkohshëm i tyre nuk do të ishte i preferueshëm.
Nasim Haradinaj e Hysni Gucati u arrestuan nga hetuesit e Speciales më 25 shtator të vitit të kaluar.
Që nga ajo kohë, ata po mbahen në paraburgim në Hagë, teksa nga e njëjta periudhë ata nuk kanë takuar asnjë prej familjarëve të tyre.
Në lidhje me padrejtësitë e pretenduara nga OVL UÇK, sot u protestua në Prishtinë, teksa u nënvizua fakti se Specialja po gjykon vetëm shqiptarët, duke marrë kështu karakter një-etnik e selektiv.