Dy ditë nga nëntë orë Safet Syla u është përgjigjur pyetjeve të zyrtarëve hetues të Prokurorisë së Specializuar për luftën e UÇK-së.
Ai thotë se u “kidnapua” nga këta zyrtarë që për më tepër kanë folur në gjuhën serbe, kur e morën atë nga zyra e tij, këtë të martë.
Paraprakisht thotë se u kontaktua në telefon, përmes viber-it duke u njoftuar se mund të jetë dëshmitar në fazën e parë të hetimeve, por nga pyetjet, Syla thotë se mund të jetë ndoshta edhe pjesë e hetimeve, raporton KTV.
Syla, i cili udhëheq me zyrën për trashëgiminë e TMK-së, thotë se atij i janë kërkuar dokumentet që posedon kjo zyrë, e të cilat mund të lidhen me luftën e UÇK-së.
Por, ai rrëfen se në atë zyrë ndodhen vetëm dokumentet prej ditës së parë të çmilitarizimit të UÇK-së e deri në demilitarizimin e TMK-së.
Syla u bën thirrje bashkëluftëtarëve të tij që të mos largohen nga Kosova pasi janë në shtëpitë e tyre dhe luftën e bënë për t’i çliruar ato.
Syla, që vjen nga zona e Pashtrikut, për kohë të gjatë ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
Ai beson në luftën e pastër të UÇK-së dhe po ashtu beson se ka përfunduar punë me hetuesit e Prokurorisë së Specializuar në Kosovë dhe tash do të presë se çfarë do të ndodhë në Hagë.
“Kohavisioni” ka mësuar se në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë, tashmë janë marrë në pyetje disa ish-pjesëtarë të UÇK-së në cilësinë e dëshmitarëve në fazën e hetimeve.
Sipas burimeve të KTV-së, hetuesit e Prokurorisë së Specializuar i kanë pyetur këta ushtarë për detyrat dhe rolin që kanë pasur në luftë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Agim Çeku, Bislim Zyrapi, Rexhep Selimi, Sali Veseli, Naim Maloku e Fatmir Limaj.