Specialja ua vazhdon paraburgimin Krasniqit dhe Selimit

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Pas vazhdimit të paraburgimit për Rexhep Selimin, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar paraburgimin edhe ndaj Jakup Krasniqit.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Krasniqi; dhe b) UDHËZON PSP-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Krasniqi jo më vonë se e mërkura, 24 prill 2024 (ora 16:00), me parashtresat e mëvonshme me shkrim pas afateve kohore të përcaktuara në Rregullën 76”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se paraburgimi i Krasniqit mbetet proporcional, shkruan Betimi për Drejtësi transmeton Klankosova.tv

“ZPS -ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS i referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi vazhdon të bëhet në këtë rast”, thuhet në vendim.

Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit në parashtrimet e veta ka thënë se vazhdimi i paraburgimit për klientin e tyre është joproporcional.

“Mbrojtja e Krasniqit argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i z. Krasniqi është joproporcional.76 Ajo pohon, në veçanti, se 40 muajt e kaluar në paraburgim janë një periudhë e konsiderueshme kohore për një person i cili nuk është dënuar për ndonjë krim. Për më tepër, ai pohon se modifikimi i kohëve të fundit i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e z. Krasniqi dhe vizitat e tij familjare, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në mirëqenien e tij dhe të drejtën për jetë familjare”, thuhet në vendim.

Ndërsa, në konstatimin e tij, Paneli i gjyqtareve kanë thënë se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Krasniqin është i nevojshëm edhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit.

I vazhdohet paraburgimi Rexhep Selimit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të iu vazhdohen paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë Rexhep Selimit.
Vendimi është marrë më 15 mars 2024, nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Selimi; dhe UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Selimi jo më vonë se e mërkura, 24 prill 2024 (ora 16:00) me çdo përgjigje dhe kundërpërgjigje pas afatit kohor të përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli është i bindur se ekziston rreziku që Selimi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së dhe të kryej krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.

Në parashtrimet e veta ZPS-ja kishte parashtruar se nuk ka asnjë masë alternative që zbut në mënyrë të mjaftueshme rreziqet për kryerje të krimeve të mëtejshme nga Selimi. Edhe në këtë rishikim të masës së paraburgimit, ZPS-ja ka parashtruar se asgjë nuk ka ndryshuar nga rrethanat që nga rishikimi paraprak i paraburgimit kur Paneli kishte konkluduar se të gjitha rreziqet për pengim të procedurave mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit.

Tutje, thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e Selimit paraqet një rrezik më të lartë siç dëshmohet nga Paneli duke modifikuar kushtet e paraburgimit si dhe duke vendosur masa të rrepta ndaj tij.

ZPS ka parashtruar se duke marrë parasysh të gjitha faktorët, vazhdimi i paraburgimit ndaj Selimit është i arsyeshëm.

“ZPS pohon se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Selimi vazhdon të jetë i arsyeshëm. Për këtë qëllim, ZPS i referohet konstatimit të Panelit se: (i) Z. Selimi është akuzuar për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare , dhe pretendohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjen e tyre; (ii) mund të ketë një dënim të gjatë, nëse dënohet; (iii) procedurat janë komplekse; (iv) rreziqet sipas nenit 41(6)(b) nuk mund të zbuten në mënyrë adekuate me masa para ndalimit; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve; dhe (vi) gjykimi ka filluar”, thuhet në vendim.

Ndërsa, në konstatimet e tij, Paneli i gjyqtarëve ka potencuar se ekziston klima e frikësimit të dëshmitarëve në këtë çështje.

Po ashtu, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Veselit është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.

“Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, Paneli konstaton se paraburgimi i z. Selimi për edhe dy muaj të tjerë janë të nevojshëm dhe të arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Të ngjashme