Sindikata e Punëtorëve e Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka reaguar pasi, sipas saj, punëtorët e transmetuesit publik ende nuk i kanë marrë pagat e muajit, duke kërkuar nga menaxhmenti që të ekzekutojë sa më shpejt pagesat dhe të sqarojë arsyet e vonesës.
Në një reagim, SPERTK shpreh shqetësimin se edhe më 3 korrik punëtorët e RTK-së vazhdojnë të jenë pa paga.
“SPERTK kërkon nga Menaxhmenti i RTK-së që të ndërmarrë urgjentisht të gjitha veprimet e nevojshme për ekzekutimin e pagave në afatin më të shkurtër të mundshëm, si dhe të informojë punëtorët dhe Sindikatën për arsyet e vonesës dhe kohën konkrete të realizimit të tyre”, thuhet në reagim.
Sindikata thekson se punëtorët nuk duhet të bartin barrën e problemeve financiare apo administrative të institucionit.
“Punëtorët e RTK-së nuk duhet dhe nuk mund të bartin pasojat e problemeve financiare, administrative apo të vendimeve të menaxhmenteve të së kaluarës. Përgjegjësitë institucionale duhet të mbeten aty ku u takojnë, ndërsa punëtorëve duhet t’u garantohet e drejta elementare për të marrë pagën e fituar me punë”, thekson SPERTK.
Sipas sindikatës, vonesa e pagave po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë financiare dhe motivimin e punëtorëve, të cilët kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre pavarësisht vështirësive me të cilat është përballur RTK-ja.
“Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në motivimin dhe sigurinë financiare të punëtorëve, të cilët, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur institucioni, kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm dhe përkushtim. Në vend që të diskutohet për përmirësimin e mirëqenies së tyre, ata po përballen me vonesa në realizimin e së drejtës më themelore – pagës”, thuhet më tej.
SPERTK rikujton gjithashtu se paga minimale prej 500 eurosh tashmë është në fuqi në Kosovë dhe kërkon që ajo të zbatohet edhe në RTK pa vonesa.
“SPERTK rithekson gjithashtu se paga minimale prej 500 eurosh tashmë ka hyrë në fuqi në të gjithë Republikën e Kosovës dhe kërkon që zbatimi i saj të reflektohet pa asnjë vonesë edhe në RTK, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Rikujtojmë se Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e ka ngritur këtë çështje para disa muajsh, duke kërkuar nga Menaxhmenti që të fillojë me kohë përgatitjet e nevojshme administrative dhe financiare për zbatimin e pagës minimale”, thuhet në reagim.
Sindikata kërkon përgjigje zyrtare nga menaxhmenti dhe paralajmëron se, nëse nuk ofrohet një zgjidhje e shpejtë, do të ndërmarrë hapa sindikalë.
“Në të njëjtën kohë, SPERTK pret një përgjigje zyrtare nga Menaxhmenti sa më parë. Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë dhe konkrete, Sindikata do të shqyrtojë ndërmarrjen e veprimeve sindikale, në përputhje me kompetencat dhe të drejtat e saj ligjore, me qëllim mbrojtjen e interesave të punëtorëve. SPERTK mbetet e përkushtuar që të mbrojë të drejtat e çdo punëtori dhe kërkon që paga të mos vihet më në pikëpyetje, pasi ajo është një e drejtë ligjore dhe jo privilegj”, thotë reagimi.