Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh sot se “Reforma në Drejtësi është flamuri i të gjitha reformave të kësaj mazhorance, i cili jo nuk preket, po vetëm do të lartësohet me mbështetjen tonë të palëkundur dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë”.
Kjo deklaratë e ministres Spiropali vjen pas akuzave të fundit të opozitës lidhur me qëndrimet e PS-së ndaj SPAK-ut.
“Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis me mllefin e zellshëm kundër Edi Ramës dhe PS, për t’u hedhur shqiptarëve në sy hirin e një plani djallëzor ‘të socialistëve të alarmuar kundër Spakut’.
Kjo është nga ato të pavërtetat që janë aq qesharake sa nuk ia vlen t’i konsiderosh. Por, vlen sot për t’i këshilluar të gjithë të interesuarve t’i kthehen fjalës së kryeministrit në Kongresin e 8 dhjetorit. Aty do t’i gjejnë edhe nga nisen planet që po bëjnë socialistët, për të cilat drejtuesit politikë, kabineti qeveritar dhe drejtuesit e komisioneve të Kuvendit, u mblodhën dy ditë në Lezhë”, shkruan Spiropali në reagimin e saj në rrjetet sociale.
Spiropali u shpreh se garantimi i pakthyeshmërisë së progresit të bërë deri këtu mbetet prioritet.