Spitalet private në Kosovë përfaqësojnë profesionistë të lartë shëndetësor, si dhe investojnë çdo ditë në teologjinë inovative dhe të fundit, u konkludua në konferencën vjetore të Asociacionit të Spitaleve Private të Kosovës (ASPK), raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme, Floren Kavaja tha se kjo është konferenca më e madhe në vend e cila bashkon sektorin privat, si dhe atë publik për të mirën e përgjithshme.
“Në konferencën vjetore të Asociacionit të Spitaleve Private të Kosovës si një nga konferencat më të mëdha që organizohet çdo vit duke bërë bashkë sektorin publik dhe privat të shëndetësisë në fushën spitalore. Sot prezentë janë gjithsej 29 spitale private të Kosovës…Kjo tregon se si ASPK jemi bërë bashkë për të mirën e përgjithshme, mbrojtjen e interesave të spitaleve private dhe ngritjes së vetëdijesimit dhe bashkëpunimit të bashkuar që mund të ndihmojmë në ndërtimin dhe zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë. Spitalet private në Kosovë përfaqësojnë profesionistë të lartë shëndetësor. Investojnë çdo ditë në teologjinë inovative dhe të fundit. Investojnë në standardet ndërkombëtare mbi shëndetësinë, bashkëpunojnë me rrjete të spitaleve ndërkombëtare, investojnë në sjelljen e profesionistëve shëndetësor nga Kosova të cilët veprojnë jashtë saj si dhe bashkëpunojnë me të gjithë akterët e institucioneve publike me të vetmin qëllim, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë…Kosova nëpërmjet ASPK-së në maj të 2024 është bërë anëtare e këtij unioni si shteti i vetëm në rajon që nuk është anëtar në bashkësinë evropiane”, ka thënë Kavaja.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që sektori privat dhe publik të jenë partner.
Ai ka thënë se si qeveri kanë ndërmarr hapa konkret me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore në të dy sektorët.
“Shëndetësia publike duhet dhe do të jetë bërthama e progresit për shërbimet shëndetësore dhe kujdesi shëndetësor do të jetë dhe është një nga prioritete kryesore të kësaj qeverie. Institucionet shëndetësore publike duhet të zhvillohen dhe të jenë në nivelin e ofrimit të shërbimeve të shtuara dhe cilësore. Po bëhen mjaftë investime si dhe do të bëhen akoma më shumë sepse ashtu mendojmë se është e duhura. Në anën tjetër ashtu siç kam deklaruar shpesh herë sektori privat, në këtë rast spitalet private janë një pjesë e rëndësishme e pa ndashme e sektorit të shëndetësisë… MSH-ja me qëllim të adresimit të shqetësimeve tuaja, por edhe hartimin e politikave koherente është duke e plotësuar-ndryshuar udhëzimin administrativ 06/2015 për kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore ku pjesë përbërëse e këtyre ndryshimeve kanë qenë edhe përfaqësues të këtij institucioni. Me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore në të dy sektorët ministria ka aprovuar edhe termat e referencës të përditësuara për zyrat koordinatore të cilësisë… Një risi tjetër në këtë aspekt është edhe inicimi i akreditimit të institucioneve shëndetësore dhe për këtë qëllim ministria ka parë që në vitet pasuese të inicioj krijimin e legjislacionit për akreditimin dhe identifikimin e institucioneve e shëndetësore që do t’i nënshtrohen këtij akreditimi. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që sektori privat dhe publik të jenë partnere, jo konkurrent në asnjë mënyrë, partner sepse vetëm kjo e ofron dhe e forcon partneritetin sepse për ndryshe mund të bëhemi pengesë për njëri tjetrin siç ka dëshmuar kjo edhe në të kaluarën. Mbi të gjitha këto mund ta vuajnë edhe qytetarët e Republikës”, ka thënë ai.
President i Bashkimit Evropian të Spitaleve Private – UEHP, Paul Garassus, ka thënë se shëndetësia globale është në një situatë ku koordinimi i akterëve është thelbësor për zhvillimin e spitaleve.
“Jemi në një situatë ku koordinimi i akterëve është qendror për zhvillimin e spitaleve. Kompleksiteti duhet të analizohet dhe zgjidhjet duhet të gjinden në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimit. Kemi parë gjatë krizës së COVID se si ka qenë thelbësore që të koordinohen e organizohen akteret si të sektorit privat e po ashtu edhe publik për zgjidhjet e ofruar për qytetarët, kjo ka qenë sfidë e madhe, të gjitha vendimet janë të bazuara në koordinim… Qëndrueshmëria është sfidë dhe spitalet private janë të shqetësuar të brengosura me këtë sfidë. Me çka po ballafaqoheni? Po ballafaqohemi me revolucione të teknologjive të reja, ne që jemi në këtë nivel e dimë që diskutojmë për inteligjencën artificiale, në hapësirën shëndetësore evropiane, kështu që duhet të menaxhojmë mbledhjen e informatave për përmirësimin e njohurive dhe vendimmarrjeje sepse me të dhëna mund të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve që ofrojmë tani… Jemi nën kufizime ekonomike, buxhetet janë të kufizuara por shërbimi duhet të aneksohet. Jemi në garë ndërkombëtare dhe duhet të përfshijmë inovacionet nga perspektiva e përditshme, është qendrore për spitalet private duhet të diskutojmë edhe financimin. Financimi strategjike, investimet strategjike janë cilësia e kujdesit të të ardhmes”, ka thënë ai.
Kryetar i Bordit i Asociacionit të Spitaleve Private në Kosovë, Armend Agani, ka thënë se ka mungesa në sistemin legjislativë shëndetësor në vend, kjo për shkak të mungesë së koordinimit në mesë institucioneve.
Ai ka shtuar se Kosova duhet që të përshtatet dhe të ndjek pikat shëndetësore dhe inovacionin nga vendet e Bashkimit Evropian.
“Pengesat e mundshme në sistemin legjislativ të shëndetit në Kosovë mund të jenë këto: mungesa e koordinimit në mes të institucioneve të ndryshme shëndetësore si dhe shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në këtë rast të ASPKS-së. Kjo mund të qojë në konfuzione dhe mangësi në ofrimin e shërbimeve. Nën dy legjislacioni i pa qartë. Disa ligje dhe rregullore mund të jenë të pa qarta ose të ta pa plota, duke bërë zbatimin e tyre të jetë i vështirë dhe të krijojë hapësira për abuzime. Për të qartësuar këto ligje nevojitet një involvim i shumë akterëve relevant. Ligjet fragmentuese shpesh janë të fragmentuara dhe jo të harmonizuara duke krijuar konfuzitet në zbatim. Kosova ka shumë arsye për të përshtatur dhe për të ndjekur në pikat shëndetësore dhe inovacionin nga vendet e Bashkimit Evropian. Këtu janë disa faktorë kryesor që mbështesin këtë qasje. Standardet e larta të shëndetësisë, inovacioni dhe teknologjia, integrimi në BE, menaxhimi i burimeve, vlerësimi i shëndetit publik, edukimi dhe trajnimi, adresimi i sfidave shëndetësore globale…Adoptimi i politikave shëndetësore dhe inovacioneve nga vendet e BE-së është një hap i rëndësishëm për Kosovën në drejtim të përmirësimit të sistemit të saj shëndetësor. Kjo do ta ndihmojë vendit tonë të ofrojë shërbime me të mira”, ka thënë ai.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi në Kosovë, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, ka thënë se zhvillimi i sektorit privat dhe publik duhet që të jetë i qëndrueshëm, i komplimentuar, pa ndonjë konkurrencë të panevojshme.
“Ligji për shëndetësi i cili është i draftuar por që nuk është i përfunduar është një mundësi e mirë që t’i vendosim bazat shumë të mira në mes këtyre dy sektorëve, sepse raportet duhet të pranojmë kanë qenë cenuara në ndërvite sektori publik në raport me sektorin privat, i cili sektori privat është zhvilluar në fillim në mënyrë stihike, të pa planifikuar deri diku edhe si parazitizëm në kuptimin e rekrutimit të personave që punojnë në sektorin publik, pa e pasur një mundësi për të planifikuar ata vet për kuadrot që kanë nevojë dhe duke i mbështetur qoftë edhe nga shteti apo edhe vetë për të krijuar kuadro të cilat do t’i shërbejnë këtyre institucioneve dhe përfaqësues të sektorit privat. Ata e kanë shpreh dëshirën që të kenë një kuadër i cili punon enkas për ata. Në anën tjetër, sot kur kushtet e punës dhe pagat po rriten në sektorin publik në një farë forme edhe vetë mjekët kanë dëshirë të kenë një jetë private. Ne kërkojmë që zhvillimi i sektorit privat dhe publik të jenë i qëndrueshëm, komplimentar, pa ndonjë konkurrencë të panevojshme gjë që ne kemi nevojë për shërbime edhe në sektorin publik”, ka thënë Kollçaku.