Spitalet të mbushura edhe sot me pacientë me Covid-19, 858 të hospitalizuar

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Institucionet publike shëndetësore në vend po vazhdojnë të jenë të ngarkuara me pacientë të infektuar me Covid-19.

Sipas raportit nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, në 6 klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ku po trajtohen pacientët me COVID-19 dhe në spitalet rajonale në vend sot janë të shtrirë 858 pacientë, prej të cilëve 719 janë të konfirmuar pozitiv me Covid-19.

12 nga këta pacientë janë në respiratorë, 21 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 671 me oksigjen.

Vetëm në 6 klinikat e QKUK-së janë të shtrirë 345 pacientë, prej të cilëve 9 janë në respiratorë, 2 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 290 me oksigjen.

Klinika Infektive edhe sot i ka të zënë të gjithë 122 shtretërit e saj me pacientë, andaj edhe nuk ka vend për raste të tjera.

Ndërsa, në spitalet rajonale janë të shtrirë 513 pacientë, prej të cilëve 3 në respiratorë, 19 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 381 me oksigjen.

Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 131 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 93 pacientë, në Spitalin e Pejës 77 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 99 pacientë, në Spitalin e Vushtrrisë 23 pacientë, në Spitalin e Mitrovicës 36 pacientë dhe në Spitalin e Ferizajt 54 pacientë.

Drejtorë të spitaleve tashmë një kohë kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e numrit të pacientëve të hospitalizuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme