818 ditë pa humbje, Fazliji vazhdon të inspirojë St. Gallenin

Prishtinë | 06 Kor 2020 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Përqindja e ndeshjeve të fituara nga Betim Fazliji është e frikshme. Por është fakt. Prej fillimit të edicionit aktual, St. Galleni nuk ka humbur asnjë ndeshje në të cilën “lojtari fatsjellës” ishte në fushë.

Është ky komenti i gazetës së madhe zvicerane, Blick, për futbollistin shqiptar Betim Fazliji (21).

“Humbja” është një fjalë jo shumë e njohur për Fazlijin. Ai këtë edicion po luan për herë të parë me seniorët. St. Galleni, që udhëheq në Superligën e Zvicrës, i ka fituar 17 prej 18 ndeshjeve në të cilat ka luajtur Fazliji. Nuk ka humbur asnjë. Pa Fazlijin, St. Galleni ka vetëm pesë fitore. Janë luajtur 28 xhiro deri më tani.

“Natyrisht se do të isha i lumtur nëse shkon kështu deri në fund të edicionit. Por fokusi është te ekipi dhe te klubi”, ka thënë me modesti për Blick, Fazliji.

Fazliji më nuk është vetëm “Betimi’ në skuadrën zvicerane. Ai është fatsjellës për St. Gallenin. Sipas Blick, atë e quajnë “Betimi i fatit” apo “Zotëri 100 %”.

Barazimi dramatik, 3:3, ndaj Young Boysit, ishte ndeshja në të cilën u ndërpre seria e fitoreve të Fazlijit. Ishte ndeshja e fundit para ndërprerjes për shkak të koronavirusit.

Fazliji duhet të kthehet shumë prapa kur e mendon humbjen e tij të fundit. Ajo ka ndodhur saktësisht 818 ditë më parë. Më 10 prill 2018, në shtëpi ndaj Red Star. Ai luajti për U-21 të St. Gallenit dhe pësoi 2:1.

“Për aq kohë sa e kemi këtë seri, unë do të ndryshojë këpucët e futbollit vetëm nëse ato prishen. Unë shpresoj që do t’i mbaj këto në pjesën e dytë të edicionit”, kishte thënë Fazliji në fillim të edicionit.

Ndërkohë këpucët e futbollit i janë prishur. Ai ka një palë të reja. Por edhe ato po sjellin fat për St. Gallenin.

Trajneri Peter Zeidler e sheh serinë e Fazlijit si fenomen, por që nuk është rastësi.

“Betimi ka nivel shumë të lartë të intelegjencës”, ka thënë Zeidler. Ai ka çmuar edhe personalitetin dhe karizmën pozitive të shqiptarit.

“Betimi është një lojtar për të cilin do të kërkonit”.

Të ngjashme