Ballkani niset drejt Lituanisë, gati për ndeshjen e kthimit në Champions

Prishtinë | 11 Kor 2022 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Kontingjenti i klubit të futbollit Ballkani e ka marrë sot rrugën drejt Lituanisë, ku do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Kosovës i ka publikuar disa fotografi ku ekipi shihet në aeroport para se ta marrë rrugën drejt Lituanisë, ku nesër mbrëma do ta ketë përballjen e dytë brenda një jave me Zalgirisin, shkruan “Gazeta Express”.

“Ekipi sot udhëton drejt Lituanisë për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet nesër. Ne jemi gati. Na priftë e mbara Suharekë. FC Ballkani”, ka shkruar klubi portokalli në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Pra, ekipi nga Suhareka është mjaft i motivuar para lojës së kthimit me Zalgirisin, e cila do të luhet nesër në “LFF Stadium” duke filluar nga ora 18:00 me kohën lokale të Kosovës.

Ballkani synon ta kalojë rrethin e parë kualifikues, me ç’rast më pas do të përballej me Malmon e Suedisë.

Por, ekipin e Ilir Dajës e pret një punë e vështirë në Lituani, në daljen e parë dhe historike në garat evropiane.

Loja e parë në mes të këtyre dy ekipeve, e zhvilluar javën e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kishte përfunduar baras, 1:1.

Të ngjashme