Bruno Guimaraes, reprezentuesi i Brazilit që ishte gati të hiqte dorë nga futbolli

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Kur Bruno Guimaraes po shqyrtonte transferimin në Evropë, ai nuk kishte mundësi të pakta. Benfica, Arsenali dhe Atletico Madridi e donin me çdo kusht, por Lyoni kishte një “as nën mëngë”: Juninho Pernambucanon. 

Para se të transferohej në Francë, ku ai fitoi shtatë tituj të Ligue 1 si lojtar, Juninho kishte ngritur dy tituj kampioni të Brazilit dhe një Copa Libertadores me skuadrën e Vasco da Gamas. Familja Guimaraes është një mbështetëse fanatike e Vascos, dhe kur Juninho mori telefonin dhe i tha Guimaraesit se ai dëshironte ta bënte atë “mesfushori më i mirë në botë”, destinacioni i tij u vulos. 

Kështu që, në janar të këtij viti ai iu bashkua Lyonit, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2024. “Juninho foli me babanë tim, me nënën time dhe me mua. Unë besoj në fjalët e tij dhe besoj se mund të jem një nga më të mirët“, thotë Guimaraes përmes video-lidhjes nga shtëpia e tij në Francë. “Juninho është një person i shkëlqyeshëm, i cili fitoi shumë tituj këtu në Lyon. Ai ishte jashtëzakonisht i sinqertë me mua dhe prindërit e mi. Ishte një zgjedhje e vështirë, por ata na thanë saktësisht se çfarë donin“. 22-vjeçari është përshtatur shumë mirë me ambientin e tij të ri.

Ai fitoi çmimin e futbollistit më të mirë të ndeshjes në tri paraqitjet e para me Lyonin, përfshirë këtu edhe shfaqjen e tij mbresëlënëse në fitoren 1:0 ndaj Juventusit në ndeshjen e parë të fazës së nokautit të Ligës së Kampionëve. 

Edhe gjuha nuk është dëshmuar si një çështje shumë e madhe për Brunon. Disa nga shokët e tij të skuadrës kanë përkthyer udhëzimet e menaxherëve dhe të tjerët e kanë ndihmuar atë së bashku duke treguar dhe sinjalizuar. Klubi ka siguruar një përkthyes dhe ai ka mësime çdo ditë në Skype me një mësues nga Brazili. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme