Çfarë kanë thënë bashkëlojtarët e Ronaldos për Messin

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Një tifoz i Lionel Messit i ka grumbulluar deklaratat e ish-bashkëlojtarëve dhe bashkëlojtarëve aktualë të Cristiano Ronaldos për argjentinasin, duke tentuar që përmes këtyre postimeve në Tëitter ta dëshmojë se lojtari i tij i preferuar është më i mirë sesa rivali portugez.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë krijuar një rivalitet të zjarrtë gjatë dekadës së fundit, kur tifozët e secilit kanë tentuar ta dëshmojnë me statistika e shembuj se cili prej tyre është më i mirë në botë, transmeton Gazeta Express.

Edhe pasi Ronaldo u largua nga Real Madridi dhe shkoi në Juventus, zënkat e tilla mes tifozëve s’janë ndërprerë. Së fundi, një tifoz i kapitenit të Barcelonës i përdori si argument deklaratat e disa lojtarëve që kanë luajtur përkrah Ronaldos, por që e kanë zgjedhur Messin si më të mirë.

“Unë kam luajtur me Cristianon dhe ai me të vërtetë është i mrekullueshëm, por unë do ta zgjedh Messin. Ai është një gjeni, ka talent të lindur. Mënyra se si ai luan është thjesht e mrekullueshme”, kishte thënë Kaka.

“Unë kam pasur fat të luaj me Zidanen, Ronaldon, Figon, Cristianon, por Messi është ndryshe. Ai e bën gjithçka të duket aq të lehtë, edhe të pamundurën”, kishte thënë Rauli.

“Përkundër miqësisë time me Ronaldon, unë do ta zgjedh Messin. Ka thjesht disa gjëra të ndryshme në stilin e lojës së Messit. Unë kam folur për qetësinë e tij me topin në këmbë dhe unë s’mund ta mbaj mend ndonjë gol të Messit kur ai e kishte goditur topin me të gjithë fuqinë.  Ai thjesht i shënon ashtu, duke e bërë të duket shumë e lehtë”, kishte thënë Wayne Rooney.

“Cristiano është një lojtar i shkëlqyeshëm, por të jesh në të njëjtën epokë me Messin është e vështirë. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë Leon. Ai gjithmonë të befason. Një vit kalon dhe Messi është më i miri, një vit tjetër kalon dhe ai ende është më i miri. Ai është nga një tjetër planet, është jashtëtokësor”, kishte thënë Angel di Maria.

“Natyrisht, unë anoj pak drejt Ronaldos sepse kam luajtur me të dhe e kam parë duke u zhvilluar si lojtar, por Messi është një gjeni, ai është lloji i lojtarit që është unik në një gjeneratë. Është kaq e thjeshtë”, kishte thënë Ryan Giggs.

“Messi është i vetëm në një nivel të tijin të lojtarëve, është e pamundur të gjendet një lojtar tjetër si ai. Ai është një nivel mbi të tjetër, si Ronaldo, por as ky s’është në nivelin e Messit”, kishte thënë David Beckham.

“Me respekt për Ronaldon, unë e preferoj Messin”, kishte thënë Iker Casillas, përderisa një herë tjetër e kishte emëruar argjentinasin si më të mirin e të gjitha kohëve.

“Unë mendoj për lojtarët e mëdhenj me të cilët kam luajtur: Eric Cantona, Zidane, Pirlo, Xavi, Cristiano Ronaldo, por më i miri nga të gjithë është Lionel Messi”, kishte thënë Paul Scholes.

“Është normale për Cristianon të mendojë se ai është lojtari më i mirë në botë. Kushdo që i shënon 37 apo 40 gola në një sezon e mendon një gjë të tillë, por nëse më pyetni mua, unë gjithmonë do ta zgjedh Messin”, kishte thënë Carlos Tevez.

“Mendoj se Messi dhe Ronaldo janë të vështirë për t’u krahasuar. Ata janë dy ndër lojtarët më të mirë në histori, por janë shumë të ndryshëm. Messi është një lojtar që prodhon më shumë futboll, ai ka vizion më të mirë”, kishte thënë Dani Carvajal.

Të ngjashme