Ditët në izolim të Amir Rrahmanit

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Italia është shteti më i prekur në Evropë nga Coronavirusi. Për shkak numrit të madh të rasteve të prekura nga Coronavirusi, në izolim është futur gjithë populli italian, e në mesin e tyre edhe futbollistët shqiptarë, që në numër janë goxha shumë në këtë vend.

Kosova ka dy futbollistë të saj, që janë në klubet elitare të Italisë, mbrojtësi i Veronas, Amir Rrahmani, dhe portieri i Torinos, Samir Ujkani. Klubet e tyre kanë pezulluar stërvitjet në grup, derisa si gjithë futbollistët, ashtu si Ujkani dhe Rrahmani kanë gjetur forma për t’iu përshtatur izolimit.

Kapiteni i Kosovës ka rrëfyer të hënën për gazetën ditët në izolim që po i kalon në Verona. 26-vjeçari zbulon se ka një javë që ekipi i ka ndalur stërvitjet dhe se futbollistët janë izoluar nëpër shtëpitë e tyre.

“Kemi një javë që kemi ndalur stërvitjet. Pas këshillave dhe ngjarjeve të fundit na është bërë e ditur se nuk do të stërvitemi derisa të jemi më të sigurt. Në kushte të improvizuara po mundohemi që sadopak të stërvitemi në mënyrë individuale”, u shpreh mbrojtësi kosovar.

Rrahmani bën të ditur se kontaktet me bashkëlojtarët dhe pjesën tjetër të ekipit janë të pakta për shkak se thuajse gjatë tërë kohës qëndrojnë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre. Në fakt shumë futbollistë kanë dalë pozitivë në testet e bëra të koronavirusit, që tashmë është shpallur si pandemi. Si rrjedhojë e kësaj, futbollistët është dashur të vetizolohen përderisa situata t’i kthehet normalitetit. Serie A gjatë javës së shkuar njoftoi për pezullimin e kampionatit deri më 3 prill dhe mbetet të shihet nëse do të rifillojë. E gjithë kjo erdhi shkaku i koronavirusit, që ka prekur mbi 25 mijë persona në Itali prej të cilëve më shumë se 1800 kanë vdekur.

Të ngjashme