Drita dhe Llapi luajnë baras në derbin e javës në BKT Superligë

Prishtinë | 19 Shk 2022 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Drita dhe Llapi kanë luajtur baras 1-1 në derbin e xhiros së 20-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Pjesa e parë ishte shumë e barabartë me dy skuadrat që luanin kujdesshëm dhe nuk lëshoheshin shumë në fazën ofensive.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët patën disa raste, por pa arritur të dërgonin topin në rrjetë.

Kësisoj 45 minutat e para përfunduan ashtu siç filluan me rezultatin e pastër 0-0.

Pjesa e dytë nisi për mrekulli për skuadrën e Tahir Batatinës, pasi në minutën e 50-të kaluan në epërsi.

Valmir Veliu pranoi një top fantastik dhe doli i vetëm përballë portierit Faton Maloku duke realizuar për 0-1.

Drita pas golit të pranuar mori iniciativën dhe krijoi disa raste shënimi me Krasniqin, Mujën e Namanin, por pa sukses.

Ishte minuta e 75-të, kur Kushtrim Shabani pengoi në zonë Albin Krasniqin dhe gjyqtari Dardan Çaka pasi rishikoi rastin në VAR akordoi penallti për Dritën.

I saktë nga pika e bardhë u tregua qendërmbrojtësi Ardian Cuculi që realizoi për 1-1.

Deri nëfund të ndeshjes, Drita dominoi me raste të krijuara, por pa arritur të gjejë golin e fitores.

Përkundër barazimit, Drita mbetet në vendin e parë me 38 pikë, derisa Llapi është e katërta me 33 sosh.

Drita takimin e xhiros së 21-të do ta zhvillojë në udhëtim te Malisheva, derisa Llapi pret Feronikelin.

Të ngjashme