E la Kosovën për Shqipërinë, Ismajli thotë se s’është penduar

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Qendërmbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli, ka insistuar se nuk është penduar që ka zgjedhur të luajë për Kombëtaren kuqezi në vend të Kombëtares së Kosovës, duke shtuar se shpreson që të dyja skuadrat të kualifikohen në EURO 2020

Ardian Ismajli kishte qenë pjesë e ekipi kombëtar të Kosovës U-21 dhe më pas kishte debutuar edhe për ekipin i parë, më 29 maj të vitit 2018. Këtë debutim, që ia dha trajneri Bernard Challandes, ai e bëri pikërisht në ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë, që Kosova e fitoi me rezultat 3:0.

Megjithatë, më vonë ai vendosi që ta vazhdojë karrierën me Kombëtaren e Shqipërisë. Pasi që ndeshja e vetme që e kishte zhvilluar për Kosovën nuk ishte zyrtare, FIFA ia lejon atij ndërrimin e ekipit kombëtar.

22-vjeçari që luan për Hajduk Splitin debutoi me Shqipërinë më 17 nëntor të vitit 2018 dhe që nga atëherë i ka bërë gjithsej katër paraqitje. Ai do ta ketë mundësinë ta shtojë këtë muaj në qershor, pasi që trajneri i ri, Edy Reja, e ka ftuar atë në skuadrën e Shqipërisë.

Duke folur në konferncën për shtyp para ndeshjeve kundër Islandës dhe Moldavisë, Ismalji tha se shpreson që edhe Kosova e edhe Shqipëria do të kualifikohen në EURO 2020, por shtoi se nuk është penduar që i la “Dardanët”.

“Kosova? Nuk e di pse më pyesni nëse jam penduar pse i jam bashkuar Shqipërisë. Lojtarët e Kosovës i kam shumë shokë dhe i uroj kualifikimin. Uroj që dhe ne të kualifikohemi dhe të rikthehemi aty ku kemi qenë”, ka thënë Ismajli.

“Kundërshtari? Që kur kam qenë i vogël kam parë shumë futboll. I kam për detyrë të shoh lojtarët kundërshtarë nëpër klubet e tyre. Besoj se i kam parë disa gjëra. Islanda s’është si ka qenë. Mendoj se atje do të marrim pikë”.

“Objektivi i Shqipërisë? Nëse marrim 3 pikë me Islandën, ka gjasa që të kualifikohemi. Ne do shkojmë për fitore, por varet nga loja. Të shohim ndeshjen”.

Shqipëria garon në Grupin H të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, ndërsa Kosova në grupin A. Kualifikimi përmes grupeve është mundësia e vetme e Shqipërisë për të marrë pjesë në EURO 2020, ndërsa Kosova mund ta sigurojë një vend në atë garë edhe përmes play-offs për kualifikim. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme