Feronikeli pa një lojtar përmbys rezultatin dhe kalon tutje

Prishtinë | 28 Qer 2019 | 22:40 | Nga Ekonomia Online

Feronikeli ka realizuar fitore ndaj Santa Coloma në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve për të kaluar në raundin tjetër kualifikues.

Kampioni kosovar luante me një lojtar më pak, kur Yll Hoxha ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 49-të.

Më keq u bë tre minuta më vonë kur Santa Coloma kaloi në epërsi përmes Chus Sosa-s.

Mirëpo, klubi nga Drenasi u kthye në lojë në minutën e 58-të kur Mevlan Zeka barazoi shifrat.

Sidoqoftë, ishte tre minuta para fundit goli i Kastriot Rexhës që bëri stadiumin “Fadil Vokrri” të shpërthejë nga gëzimi, kur shënoi me kokë ndaj kundërshtarit për ta kualifikuar Feronikelin në fazën tjetër të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve.

Të ngjashme