FFK dënon dhunën ndaj portierit Stivi Frashëri, kërkon që autorët të dalin para drejtësisë

Prishtinë | 03 Pri 2022 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka dënuar dhunën ndaj portierit të Ballkanit Stivi Frashëri.

FFK kërkon nga organet e drejtësisë që të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e kësaj ngjarje.

“Kërkojmë nga organet e rendit që të marrin masa të mënjëhershme ndaj personave të tillë të dhunshëm, që me veprimet e tyre po i vendosin njollë të zezë futbollit tonë. Njëherësh i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të veprojë sa më parë për t’i vënë para drejtësisë personat që shkaktuan dhunë ndaj portierit Stivi Frashëri”.

Në javën e 27-të të Superligës, në ndeshjen Gjilani – Ballkani, thuajse në fund të takimit pas barazimit të rezultatit 1:1, nga portieri i ekipit të Gjilanit, tifozët vendas hyjn% në fushë duke e sulmuar portierin e ekipit nga Suhareka.

Ndeshja më pas u pezullua ndërkaq portieri Stivi Frashëri, u dërgua në spital për trajtim.

Reagimi i plotë nga FFK:

Federata e Futbollit e Kosovës e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në fundin e ndeshjes së javës së 27-të të BKT Superligës, Gjilani – Ballkani, që u zhvillua në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

FFK ndjehet e shqetësuar me incidentin e ndodhur, teksa i dëshiron shërim të shpejtë portierit Stivi Frashëri.

Kërkojmë nga organet e rendit që të marrin masa të mënjëhershme ndaj personave të tillë të dhunshëm, që me veprimet e tyre po i vendosin njollë të zezë futbollit tonë.

Njëherësh i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të veprojë sa më parë për t’i vënë para drejtësisë personat që shkaktuan dhunë ndaj portierit Stivi Frashëri.

Po ashtu, kërkojmë edhe nga klubet organizim dhe menaxhim më të mirë të ndeshjeve, pasi është e papranueshme që imazhi i futbolli kosovar dhe i vet klubeve të dëmtohet nga disa individë të papërgjegjshëm dhe të dhunshëm.

FFK kërkon edhe nga komisionet e saj që ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë incident, derisa nga të gjithë dashamirët e futbollit kërkojmë distancim nga veprimet e tilla të dhunshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën më të popullarizuar në botë.

Të ngjashme