FFK-ja merr vendim t’i vazhdojë garat pa shikues dhe me masa të rrepta sigurie

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendim në mbledhjen e mbajtur të enjten se të gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues dhe në masa të rrepta sigurie për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në ndeshje futbolli kur të rifillojnë garat.

Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të respektohet plani i tyre; ekipeve t’u mundësohet fillimi i stërvitjeve në grupe që nga 10 maji; ndeshjet gjysmëfinale të Kupës të luhen më 23 e 24 maj; ndërkaq Superliga të vazhdojë nga 30 maji dhe xhirot e mbetura të luhen deri më 15 korrik.

“FFK do t’i ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse në stadiume dhe do t’i respektojë të gjitha rekomandimet që vijnë nga institucionet shëndetësore, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit në një ndeshje futbolli të jenë të sigurt. Tani u mbetet krerëve të FFK-së që në ditët e ardhshme të takohen me drejtuesit e institucioneve dhe të dakordohen për hapat e mëtutjeshëm, ngase më 24 maj FFK-ja është e obliguar ta njoftojë UEFA-n për vazhdimin ose jo të garave të këtij edicioni”, thuhet në njoftimin e KE të FFK-së.

Por, plani i FFK-së, për vazhdim të sezonit mund të mos realizohet. Është thënë se aktivitetet sportive në vend do të rikthehen në fazën e tretë, fazë e cila fillon prej datës 1 qershor. Me këtë kuptohet se kampionati i Kosovës mund të mos rifillojë gjatë muajit maj. Por sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se vazhdimi i sezonit pas 15 qershorit nuk bën në asnjë mënyrë. Sipas tij, është kohë e papërshtatshme dhe e pamundur për të përfunduar garat në afatin e caktuar nga UEFA, e që është 19-20 korriku…

Të ngjashme