FFK-ja synon të përfundojë Kupën, por konfirmon opsionin që i treti në kampionat të dalë në Evropë

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar se në rast të nuk përfundon gara për Kupë të Kosovës, skuadra e renditur në vendin e tretë në Superligë do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës.

BBC ka shkruar të enjten se UEFA nuk ka marrë ndonjë vendim për garat e kupave nacionale, në video-konferencën që e ka mbajtur të mërkurën me sekretarët e përgjithshëm të federatave nacionale. Por UEFA ka vendosur që për çdo garë që nuk përfundon, vendi i rezervuar për Evropë të mbulohet në bazë të renditjes në ligë.

Kjo nënkupton se nëse Kupa e Kosovës në futboll nuk do të mund të përfundojë për shkak të koronavirusit, atëherë në kualifikimet e Ligës së Evropës në vend të fituesit të Kupës do të luajë skuadra e vendit të tretë në Superligë.

Aktualisht është në fuqi vendimi që kampioni i Kosovës të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa nënkampioni dhe fituesi i Kupës të luajnë në kualifikimet e Ligës së Evropës. Për herë të parë Kosova do të ketë tri skuadra në Evropë, në edicionin e ardhshëm.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se synim është që të përfundohet gara për Kupë të Kosovës. Por me anulimin e garave për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk ka garanci se do të përfundojnë garat për Kupë. Prioritet është që të përfundojnë kampionatet nacionale, raporton Koha.net.

“Ky rregull vlen për vendet që do ta vazhdojnë kampionatin, por jo edhe ndeshjet e Kupës. Por ne jemi tashmë në gjysmëfinale dhe me një version më të shkurtër, mund t’i mbyllim edhe këto gara më shpejtë. Megjithatë nëse nuk luhet kupa, atëherë do të shkojë vendi i tretë i Superligës në garat evropiane”, ka thënë Salihu për Koha.net, të enjten.

“Synimi ynë si federatë është që t’i përfundojmë të gjitha garat e këtij edicioni, kur ato të rifillojnë”, ka shtuar Salihu.

Ndeshjet gjysmëfinale të kupës është planifikuar të luhen më vonë këtë muaj, por do të shtyhen. Gjysmëfinalja luhet me dy ndeshje.

Nuk ka vendim se kur do të vazhdojnë garat e futbollit, ndërkohë që në Kosovë kanë mbetur të zhvillohen edhe 11 xhiro të Superligës.

Të ngjashme