Gattuso e largon nga loja Rrahmanin, pas gabimit trashanik

Prishtinë | 10 Jan 2021 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Napolit, Gennaro Gattuso, ka vendosur ta largojë nga loja Amir Rrahmanin pas pushimit mes pjesëve, pas gabimit trashanik të mbrojtësit të Kosovës që çoi në golin e barazimit për Udinesen.

Gattuso nuk ka treguar aspak durim me qendërmbrojtësin kosovar Amir Rrahmani, duke ia bërë edhe më të tmerrshëm debutimin si titullar në Serie A për Napolin, pasi e nxori nga loja pas një gabimi fatal, raporton Gazeta Express.

Napoli po fitonte falë golit të Lorenzo Insignes nga penalltia pas një çereku lojë, kur Rrahmani e ktheu një top mbrapa gabimisht, të cilin e vodhi Kevin Lasagna dhe e shënoi për 1:1 në minutën e 27-të.

Pavarësisht se u detyrua ta largojë Kostas Manolasin nga loja shkaku i dëmtimit dhe në mungesë të qendërmbrojtësit kryesor Kalidou Koulibaly, Gattuso e largoi nga loja Rrahmanin në minutën e 46-të.

Vendimi i trajnerit italian për ta zëvendësuar kosovarin me Mario Rui mund të jetë taktik, pasi Napoli tani po luan me tre mbrojtës, por Gattuso është dukshëm i pakënaqur me paraqitjen e Rrahmanit në përgjithësi.

Por nuk mund të jetë arsyeja kryesore, sepse prishtinasi ka luajtur më së miri në skemën me tre persona në mbrojtje, duke shkëlqyer për Veronën sezonin e kaluar.

Kjo ishte ndeshja debutuese si titullar për Rrahmanin, gjysmë sezonin pasi iu bashkua Napolit nga Hellas Verona.

26-vjeçari debutoi ditë më parë pas një pritjeje pesëmuajshe, si zëvendësues në fitoren e Napolit 4:1 kundër Cagliarit.

Të ngjashme