Grezda thotë se është fyer, por këtë nuk e kishte përmendur në mesazhin e parë pas ndeshjes

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Mediat në Kroaci, por edhe ato në Mbretëri të Bashkuar, po shkruajnë vazhdimisht për incidentin e Eros Grezdës. Futbollisti kosovar i Osijekut të dielën mbrëma ka goditur me shuplakë në kokë futbollistin e Rijekës, Antonio-Mirko Çolak. Osijeku humbi 3:2 nga Rijeka në gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, ndërsa është vlerësuar se arbitrat e kanë dëmtuar shumë skuadrën e Osijekut.

Por pas ndeshjes, në parking, Grezda ka goditur në kokë Çolakun dhe për këtë pritet të ketë telashe të mëdha.

Sipas mediave kroate, Grezda mund të dënohet me dy vjet moslojë. Ai kishte pasur probleme disiplinore edhe sa luante në Skoci te Rangersi. Ndër të tjera kishte pështyrë një lojtar kundërshtar dhe më nuk ishte në planet e trajnerit Steven Gerrard.

Grezda përmes një letre publike, të hënën, ka pretenduar se është fyer në baza nacionale.

Osijeku në faqen zyrtare ka publikuar deklaratën e Grezdës.

“Më vjen shumë keq që jam në qendër të vëmendjes së mediave, sidomos në kontekstin e asaj që më parë ndodhi në terren, gjatë ndeshjes me Rijekën. Të gjithë, edhe unë, ishim shumë të frustruar me faktin që si sportistë jemi dëmtuar në ndeshje dhe na është pamundësuar fitorja të cilin e kishim afër. Nuk është e lehtë për ne në fushë që të durojmë padrejtësinë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush të fyen përkundër të gjithave. Kur bëhet fjalë për fyerje të rënda në baza personale dhe nacionale, më pas, si njeri para së gjithash, por edhe si sportit, jam shumë i ndjeshëm. Gjëra të tilla kishte gjatë ndeshjes, ndërsa provokimet kanë vazhduar edhe pas përfundimit të ndeshjes, kur së bashku me bashkëlojtarët isha para autobusit të skuadrës, pranë të cilit duke provokuar ka kaluar lojtari kundërshtar Çolak. Tërë kohën jam përballur me provokime të tij. Jetoj në Kroaci për kohë të gjatë, i kryej të gjitha obligimet dhe tatimin e paguaj këtu. Kështu që gjëja e fundit që meritoj është që dikush të më ofendojë në baza nacionale. Në përputhje me këtë do të ndërmarr të gjithë hapat e duhur juridik, në përputhje me rrethanat, për të mbrojtur nderin dhe reputacionin tim”, ka shkruar Grezda.

Policia kroate ka njoftuar se po mbledhë fakte për incidentin kurse Çolak ka thënë se Grezda duhet të kërkojë ndihmë profesionale. Ai ka mohuar të ketë fyer Grezdën, që më parë ka luajtur për Shqipërinë.

“Më vjen keq që ka ardhur te ky incident pasi me Grezdën dhe lojtarët e Osijekut, në fushë dhe jashtë saj, nuk kam pasur kurrfarë telashesh. Në terren kemi emocione, ndërsa jashtë tij ia zgjatim dorën njëri-tjetrit dhe të gjithë jemi shokë sportiv. Kur kam menduar se sulmi fizik është gjëja më e keqe që ka ndodhur, kam lexuar rrena të paraqitura sot në faqen zyrtare të Osijekut, e ku pretendohet se kam bërë fyerje në baza nacionale, që nuk kanë ndodhur dhe që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën. Me këtë rast i them atij se po ia fal dhe për të mirën e tij shpresoj se do të kërkojë ndihmë profesionale, pasi si më kanë informuar ky nuk është incidenti i tij i parë i kësaj natyre. Më vjen mirë që kam qëndruar i qetë në atë situatë pasi nuk pranoj asnjë lloj të dhunës”, ka thënë Çolak.

Është publikuar edhe një incizim ku shihet incidenti, kurse Rijeka ka publikuar edhe një mesazh të Grezdës për lojtarin të cilin e goditi. Në atë letër, Grezda nuk përmend fyerjet që ka pranuar.

Sipas Rijekës, Grezda vetëm sot ka kujtuar fyerjet, që nuk i ka përmendur kur i ka kërkuar falje sulmuesit për sulmin fizik pas ndeshjes.

Në mesazhin e Grezdës, të publikuar nga Rijeka, shkruan: “Nuk po të shkruaj për të mos më lajmëruar. Jam ftohur tani dhe nuk është dashur të bëjë atë. Është dashur të zgjedhim atë me bisedë si njerëz, por kam qenë nervoz për shkak të tërë ndeshjes dhe të gjithave. Të kërkoj falje, ndërsa t’i vendos se çka është më së miri”, ka shkruar Grezda për Çolakun në rrjete sociale, të dielën mbrëma.

Të ngjashme