Hokeji në ujë, sporti që po synon Lojërat Olimpike

Prishtinë | 27 Tet 2019 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Notarët që mbajnë maska dhe kanë në duar shkopinj të shkurtër e të lakuar, zhyten në fund të një pishine në Malajzi ku gjendet një top, derisa garojnë në një lojë energjike të hokejit në ujë.

E shpikur në vitet e 50-ta në Britani ku njihej me emrin “Octopush” për të ndihmuar zhytësit që të mbajnë formën e tyre gjatë muajve të dimrit, loja e hokejit në ujë ka fituar popullaritet kohët e fundit, në Evropë dhe në Azi, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

Në qendrën kombëtare ujore të kryeqytetit të Malajzisë, Kuala Lumpur, lojtarët e të dy gjinive pasi vendosën pajisjet e tyre, u zhytën në ujë për seancën e vështirë stërvitore të hokejit nënujor.

Ky sport nuk është për ata me zemër të dobët, pasi lojtarët notojnë përreth njëri-tjetrit me shpejtësi të madhe derisa përpiqen ta godasin topin e rëndë nëpër ujë.

Kjo nuk është aspak e lehtë, pasi topi lëviz me vështirësi dhe lojtarët mundohen që nëpërmjet shkopinjve të lakuar ta dërgojnë në portën kundërshtare për të shënuar gol.

Ata herë pas here dalin në sipërfaqe për t’u mbushur frymë përpara se të zhyten përsëri për ta ndihmuar ekipin e tyre.

Lojtarët kanë vetëm maska të zhytësve, por jo edhe përkrahje me oksigjen dhe për këtë arsye ata vazhdimisht dalin mbi ujë përpara se t’i kthehen lojës së hokejit në ujë.

“Ju duhet të jeni në gjendje të notoni shpejt dhe gjithashtu të mbani frymën tuaj sa më gjatë që të jetë e mundur nëse dëshironi të bëheni lojtar i hokejit nënujor”, tha Ishmael Ho, i cili do të jetë kapiten i ekipit të meshkujve të Malajzisë në “mini-olimpiadën” që do të mbahet muajin tjetër në Filipine. “Komunikimi gjatë lojës është pothuajse i pamundur. Duhet të merremi vesh vetëm me shikime dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin, sepse jemi në ujë dhe nuk mund të flasim”.

Shumica e lojtarëve të këtij sporti janë zhytës apo persona që e adhurojnë zhytjen. Kështu që, hokeji nënujor u mundëson atyre jo vetëm që të zhyten, por njëkohësisht të garojnë dhe ky është atraktiviteti më i madh që e ofron ky sport.

“Hokeji nënujor të ofron një mundësi të madhe për t’i rritur aftësitë e zhytjes dhe për të mbajtur formën e mirë. Gjithashtu, është një mënyrë e mirë për të takuar shumë zhytës me përvojë dhe të zhvillosh një ndeshje me ta”, thotë Corey Bennett (20), që me këtë sport ka filluar të merret para tre vjetësh, pasi gjithmonë ka adhuruar zhytjen.

Të ngjashme