Interi favorit për Kumbullën, vazhdojnë bisedimet me Veronën

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Pavarësisht ndërhyrjes së Lazios gjatë ditëve të fundit, Interi vijon të jetë i avantazhuar për të marrë shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare, Marash Kumbulla, ndërsa vijojnë kontaktet me Veronën për arritjen e marrëveshjes.

Kështu ditën e djeshme zikaltrit kanë mbajtur një tjetër raund bisedimesh me drejtuesit e Veronës, pasi aktualisht po punohet për të gjetur formulën e duhur të transferimit dhe lojtarët që do të përfshihen në marrëveshje.

Interi ka arritur tashmë një marrëveshje me vetë mbrojtësin, i cili do të pranonte me kënaqësi transferimin në Milano, ndonëse nuk përjashtohet që në marrëveshje të vendoset lënia edhe një sezon tjetër te Verona në huazim.

Aktualisht mbrojtësi shqiptar është dëmtuar për një problem të vogël muskulor dhe me gjatë e ka mbyllur sezonin, ndërsa palët nuk nxitojnë për të arritur marrëveshjen, pasi merkatoja pritet të hapet vetëm në fillim të muajit shtator.

Marash Kumbulla debutoi këtë sezon në Serinë A dhe mori një fanellë titullari te Verona, të cilën nuk e lëshoi për asnjë moment, ndërsa me performancat e tij tërhoqi vëmendjen e klubeve të shumta në Itali dhe Europë.

Të ngjashme