Interin e pret sfidë e vështirë sonte kundër Atalantës

Prishtinë | 08 Mar 2021 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Luhet Inter – Atalanta, sfida që i përket javës së 26-të të Serisë A, të cilën skuadra e Contes kërkon ta fitojë me çdo kusht për të rikthyer diferencën prej 6 pikësh me Milanin, ndjekësin më të afërt, por edhe për të mbajtur sa më larg Juventusin, që fitoi bindshëm dhe me përmbysje me Lazion (3-1).

Në orën 20:45, në “San Siro”, do të jetë një provë e vështirë për formacionin e Contes, force dhe karakteri, pasi ka përballë një prej skuadrave më të bukura për t’u parë aktualisht në futbollin Italian.

Fitorja 1-2 në “Tardini”, ndaj Parmës, ishte e pesta radhazi për Interin, një ecuri që i ka dhënë përparësi ndaj rivalëve në renditje. Pa impenjime në Europë dhe në Kupën e Italisë, zikaltrit janë të fokusuar krejtësisht në kampionat, ku janë shumë pranë triumfit pas plot 11 viteve.

Atalanta e Gian Piero Gasperinit shkon në Milano pas asaj fitoreje të thellë 5-1 në Bergamo ndaj Crotones, duke gjetur një ritëm të mirë rezultatesh edhe në kampionat, ku aktualisht mban vendin e 4-t në renditje, në pikë të barabarta me Juventusin (nga 49 pikë). Për lojtarët e Atalantës sfida me Interin përfaqëson një fazë të rëndësishme për të kuptuar se cilat mund të jenë ambiciet e tyre reale në Serinë A.

Të dyja skuadrat janë të përkushtuara ndaj futbollit proaktiv dhe sulmues, të gatshme për të dhuruar një ndeshje interesante dhe të bukur për t’u ndjekur.

Sa i përket formacionit të Interit, Conte e ka të plotë organikën, me Lautaro Martinezin që pritet të luajë titullar krah Lukakut në vijën e parë, ndërsa Vidal duket më i avantazhuar se Eriksen në mesfushë.

Sfida tjetër e mbrëmjes, që do të transmetohet në SuperSport, në orën 19:00, është ajo e “Stamford Bridge” mes Chelsea-t dhe Evertonit, një duel i drejtpërdrejtë për zonën Champions, pasi skuadrat ndahen nga vetëm një pikë në renditje (Chelsea 47, Evertoni 46), por skuadra nga Liverpooli ka zhvilluar në total një ndeshje më pak se londinezët.

Do të jetë gjithashtu një duel strategësh, Thomas Thuchel – Carlo Ancelotti, që i jep më shumë sharm kësaj përballjeje.

Të ngjashme