Klopp është frikësuar për titullin e Liverpoolit

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka thënë se është frikësuar se ekipit të tij do t’i mohohet mundësia për të fituar titullin e kampionit për shkak të ndërprerjes për shkak të koronavirusit.

Liverpooli ka pasur epërsi prej 25 pikëve dhe ka qenë vetëm gjashtë pikë larg për të siguruar titullin e parë në 30 vjetët e fundit, kur edicioni i Premier Leagues u pezullua në muajin mars.

I pyetur nëse është frikësuar se Liverpoolit do t’i mohohet triumfi, Klopp ka thënë të premten: “Sinqerisht po”.

“Kur ka filluar bllokimi nuk kam menduar për asnjë sekondë se ishim afër, pasi ajo gjë nuk ishte e rëndësishme në atë moment. Unë fillova të shqetësohem kur njerëzit filluan të flisnin për të shpallur kampionatin të pavlefshëm. Kam ndier se kjo do të ishte shumë e vështirë”, ka theksuar trajneri gjerman.

Ka pasur zëra që kampionati të anulohet dhe që mos të shpallet kampioni.

Por Premier League ka rifilluar të mërkurën dhe duket se do të kompletohet. Kështu nuk do të ketë nevojë për diskutime tjera nëse duhet të shpallet kampioni apo jo.

Klopp ka thënë se ka pasur momente kur është brengosur dhe se është lehtësuar kur anulimi nuk ishte më opsion. Ai thotë se është shumë më sportive që kampionati ka vazhduar.

Liverpooli synon të fitojë tri prej gjashtë pikëve që i duhen, në derbin e së dielës ndaj Evertonit.

“Do të jetë vështirë në javët e ardhshme. Shpresoj të shijoj këtë periudhë. Ne duhet të sigurohemi që do ta luajmë sërish futbollin më të mirë që mund ta luajmë”, ka thënë Klopp.

Të ngjashme