Klopp për finalen e nesërme: Reali është favorit, por është e vështirë të luash kundër nesh nëse jemi në ditën tonë

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Jurgen Klopp është paraqitur sot në konferencë për shtyp, para ndeshjes finale që Liverpooli e zhvillon nesër ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Trajneri gjerman tha se nesër skuadra e tij duhet të jetë në një nivel shumë të lartë.

“Nëse kam bërë diçka befasuese [taktikisht] për lojtarët e mi, ata mund të mendojnë se jam nervoz. Nëse bëni gjërat e duhura gjatë gjithë kohës, duhet ta bëni atë edhe në finale. Të jemi në nivelin më të lartë do të ishte shumë mirë”, tha Klopp.

Tutje, trajneri i Liverpoolit tha se duhet mësuar nga e kaluara.

“Çfarëdo që të bëni, duhet të fitoni përvojë. Kur të merrni një punë të re, nuk do të jetë dita më e mirë e jetës suaj. Gjërat ndodhën [në finalen e 2018]. Duhet të mësoni që të fitoni. Më duhej ta mësoja në mënyrën të vështirë – kam humbur shumë finale në jetën time”, shtoi 54-vjeçari.

Jurgen Klopp foli edhe për skuadrën favorite për finalen e nesërme. Sipas tij, Real Madridi është favorit për të triumfuar shkaku i përvojës.

“Unë nuk e di [kush janë favoritët]. Nga këndvështrimi im, do të thoja Real Madridi për shkak të përvojës, por dua që ne të jemi në të njëjtin nivel. Nëse jemi në nivelin tonë të lojës, ne jemi shumë të vështirë për të luajtur kundër nesh. Shqetësimi im i vetëm për momentin është ta bëjë këtë. Do të thotë shumë të fitosh. Nëse je futbollist, do ta dish se çfarë kanë bërë futbollistët e mi deri më tani është absolutisht e jashtëzakonshme. Në fund, sigurisht, gjithçka matet me ngjyrat e medaljes. Ne jemi mirë me këtë. Jam shumë krenar për atë që kemi bërë deri më tani”, deklaroi Klopp.

Finalja e Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit dhe Real Madridit do të zhvillohet të shtunën nga ora 21:00 në “Stade de France”.

Të ngjashme