Kosova vazhdon të vuajë për portierë, FFK-ja kontakton Shaipin

Prishtinë | 27 Gus 2019 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Portieri i parë i Kosovës mbeti në stol në fundjavë. I dyti nuk ka skuadër, njëjtë si i treti.

Përfaqësueses së Kosovës në futboll assesi t’i ndahen telashet me portierë. Është besuar se me Arianet Muriqin porta e Kosovës do të jetë stabile për kohë të gjatë. Por për vlerësimin e një numri të konsiderueshëm tifozësh e njohësish të futbollit, Muriqi nuk ka treguar sigurinë e duhur në ndeshjet e deritashme, shkruan sot Koha Ditore.

Për më shumë atij i mungon konkurrenca, ndërsa edhe në nivel klubesh gjërat nuk po i ecin më së miri. Muriqi është huazuar nga Manchester City te skuadra e kategorisë së dytë angleze, Nottingham Forest. Startoi në katër ndeshjet e para kampionale, ndërsa sidomos e para ishte dëshpëruese. Në fundjavë u la në stol dhe në vend të tij startoi Brice Samba.

Të dielën e të hënën nuk kanë reshtur vlerësimet pozitive për Samban, kështu që me shumë gjasa Muriqi do të vazhdojë të jetë rezervist edhe te skuadra ku është huazuar. Në fakt, trajneri i Nottinghamit ka thënë se ndryshimi në portë ishte vetëm për një ndeshje dhe se Muriqi do të luajë mjaftueshëm. Por lavdet për Samban dhe kritikat për Muriqin pas ndeshjes së tij të parë mund t’i ndryshojnë gjërat.

I pari i FFK-së, Agim Ademi, të hënën ka takuar njërin prej portierëve më të talentuar në Zvicër, Amir Shaipi (Saipi). Se shtatlarti Shaipi (194 cm) është prej më të talentuarve në Zvicër kanë shkruar mediat e këtij vendi.

Të ngjashme