Krasniqi rrit numrin e kosovarëve me tri përfaqësuese

Prishtinë | 04 Shk 2020 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Tani është pajisur me shtetësi të Malajzisë dhe kështu shpejt do të nis të luajë për përfaqësuesen e këtij vendi aziatik, shkruan sot Koha Ditore.

Liridon Krasniqi kështu i bashkohet një grupi jo shumë të madh të lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur për tri përfaqësuese të ndryshme. Në përgjithësi numri i lojtarëve që luajnë në tri përfaqësuese të ndryshme të futbollit nuk është shumë i madh. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) nuk i lejon lojtarët që të ndërrojnë më shumë se dy përfaqësuese. 

Por janë disa futbollistë shqiptarë që kanë shfrytëzuar hapësirat e ndryshme dhe kanë veshur fanella të tri vendeve të ndryshme, duke përfshirë edhe përfaqësueset e gjeneratave të reja. 

Mesfushori Krasniqi (28) luan në Malajzi prej vitit 2015. Ka fituar shtetësinë e Malajzisë për faktin se ka qëndruar afërsisht pesë vjet në këtë vend. Ka kohë që Federata e Futbollit e Malajzisë kishte shprehur interesim për të natyralizuar atë, me synim për të përforcuar përfaqësuesen e saj. Malajzia ka natyralizuar një lojtar më herët e Krasniqi bëhet i dyti. Ka mbetur që FIFA të japë leje që ai të luajë për Malajzinë, që ai të fillojë me paraqitje për përfaqësuesen e tij të tretë. 

“Federata e Futbollit e Malajzisë do të dërgojë të gjitha dokumentet e nevojshme për të konfirmuar se Liridoni është shtetas i Malajzisë. Nuk do të ketë vonesa në kompletim të dokumentacionit”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Malajzisë, Stuart Ramalingam.

Malajzia e ka në radar edhe një brazilian për ta natyralizuar. Krasniqi tash është pjesë e skuadrës Johor Darul Ta’zim. Më herët në Malajzi ka luajtur edhe për Kedahun e Melaka Unitedin. Është rritur në Gjermani, ndërsa ka bërë karrierë edhe në Çeki e Turqi. 

Të ngjashme