Kreu i FFK-së darkon me presidentin e FIFA-s

Prishtinë | 16 Shk 2019 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Pas përfundimit të Samitit të FIFA-s në Stamboll, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka qenë në darkë të përbashkët me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Së bashku ata kanë shkuar në një restorant në Stamboll, ku kanë shijuar specialitetet turke dhe natyrisht edhe suksesin e Samitit.

Presidenti Infantino ka treguar respektin e madh që ka për FFK-në dhe presidentin Ademi, duke shtuar se do ta ndihmojë dhe do ta përkrahë Kosovën në të gjitha format, ngase FFK e ka një specifikë të veçantë pasi është federata e parë e pranuar pas zgjedhjes së tij si president i FIFA-s.

Ai ka theksuar se do të vazhdojnë projektet nga FIFA për FFK-në si dhe ka shprehur edhe njëherë dëshirën dhe gatishmërinë për ta vizituar Kosovën së shpejti.

Ndërkaq, presidenti Ademi e ka falënderuar presidentin Infantino për respektin dhe përkrahjen që po i jep Kosovës në vazhdimësi dhe është zotuar se FFK-ja dhe Kombëtarja e Kosovës do të jenë shembull për organizim të mirë në të gjitha aspektet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme