Kryeziu te Torino me synimin për të debutuar në Serie A

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Te SPAL-i ishte në stol në pesë ndeshje te Serie A. Te Torino do të startojë në ekipin e të rinjve (Primavera), por synon shpejt të bashkohet me ekipin e parë.

Futbollisti i Kosovës U-21, Altin Kryeziu, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Ai ka firmosur me klubin e njohur italian, Torino. Torino të premten e ka prezantuar 18-vjeçarin si lojtar të ri.

Po të premten, mesfushori qendror ka zhvilluar stërvitjen e parë me të rinjtë e Torinos.

“Në fakt kam nënshkruar dje, ndërsa sot kam ardhur dhe kam zhvilluar stërvitjen e parë me Torinon. Më kanë pritur shumë mirë. Torino edhe më herët ishte e interesuar. Te Torino në vitin e parë do të luaj për të rinjtë e më pas shpresoj se do të dal te të rriturit. Ky është synimi, ky është plani. Kam firmosur për tre vjet, me mundësi të vazhdimit edhe për një tjetër. Shpresoj se do të paraqitem mirë dhe do të avancoj në ekipin e parë”, ka thënë Kryeziu për KOHËN, të premten.

Për Kryeziun kishte edhe oferta të tjera, por ai vendosi për Torinon “që ka shkollë të mirë dhe avancon futbollistët e rinj, nëse ata shfaqin vlera”.

Te SPAL-i, që nuk ia doli të sigurojë mbetjen në Serie A, Kryeziu e ka kaluar një vit. Deri në pandemi ka luajtur dhe ka ushtruar me të rinjtë. Pas rikthimit të garave, ishte grumbulluar me ekipin e parë, por pa debutuar në Serie A. Ai ka vendosur të largohet nga SPAL-i, pasi kjo skuadër bazohet në lojtarë me përvojë. Të paktën këtë informatë e ka Kryeziu.

Kryeziu është me prejardhje nga Suhareka, por i rritur në Slloveni. Në Slloveni edhe ka nisur karrierën si futbollist. Ka luajtur për Triglav Kranj. Edhe dy anëtarë të familjes së tij merren me futboll. Vëllai Drilon Kryeziu po luan ende në Slloveni. Ndërsa djali i axhës, Egzoni, luan për Slloveninë U-21 dhe për Lechia Gdansk në Poloni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme