Kuka për Majlindën: Vepër e inspirimit se si duhet atdheu

Prishtinë | 07 Dhj 2021 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Majlinda Kelmendi dje me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i dha fund karrierës së saj të bujshme si xhudiste.

Kampionia e parë olimpike nga Kosova u dekorua nga presidentja Vjosa Osmani me urdhrin “Shotë Galica”, dje gjatë ceremonisë, shkruan Gazeta Express.

Trajneri i saj, Driton Kuka, përmes profilit të tij në Facebook reagoi duke thënë se ndihet krenar me veprën e saj, teksa listoi edhe të gjitha medaljet që i ka fituar gjatë karrierës Majlinda Kelmendi.

“Faleminderit Majlindë! Sa shumë krenar me veprën tande. Vepër e inspirimit se si duhet atdheu”, shkroi Kuka në Facebook.

Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova. Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.

Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane. Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos. Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.

Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.

Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres, pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka.

Të ngjashme