Leon Goretzka, futbollisti me parime

Prishtinë | 29 Mar 2020 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Përhapja e koronavirusit ka pezulluar pothuajse të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe futbollin. Kjo ka bërë që shumë lojtarë të humbasin aktivitetin e tyre të preferuar të fundjavës.

Në mungesë të tij, disa futbollistë po kërkojnë të ndihmojnë të tjerët, por të paktë janë ata që ofrojnë ndihmë si mesfushori i ekipit bavarez. Vetëm disa ditë pasi postoi në rrjetet sociale një foto të tij duke lexuar librin “Të mendosh, shpejt dhe ngadalë” të Daniel Kahneman, mesfushori i Bayern Muenchenit, Leon Goretzka, filloi të veprojë.

Ai fillimisht nisi me përpjekjet e tij për të rritur vetëdijen e të tjerëve se si dhurimi i gjakut është i nevojshëm. Disa ditë pas kësaj, ai ishte një nga fytyrat kryesore në donacionin e Përfaqësueses së Gjermanisë në vlerë prej 2.5 milionë eurosh, si dhuratë për bamirësi me qëllim për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, transmeton KOHA shkrimin e DW.

Deri në fund të javës, si Goretzka ashtu edhe bashkëlojtari i tij te Bayerni dhe Gjermania, Joshua Kimmich, nisën fushatën e mbledhjes së fondeve “#WeKickCorona”, me futbollistët që të parët dhuruan një milion euro për kujdesin shoqëror dhe grupet e bamirësisë që janë aktualisht në nevojë.

Kësaj kauze menjëherë iu bashkuan edhe lojtarët e tjerë gjermanë, si Mats Hummels (Borussia Dortmund), Leroy Sane (Man. City) dhe Julian Draxler (PSG).

“Nuk hezitova për asnjë moment që t’i bashkohem kësaj iniciative të Leonit, i cili është i njohur për veprimet e tij që i bën jashtë futbollit. Shpresoj që të krijojmë një fond për t’i ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë dhe pres që edhe lojtarët e tjerë të na bashkohen”, tha qendërmbrojtësi Hummels.

Në një kohë kur kaq shumë njerëz po ndihen të prekshëm, të izoluar dhe të frikësuar nga koronavirusi, Goretzka po flet dhe po arrin. Përderisa sporti me të drejtë është pezulluar për momentin, veprimet e Goretzkas nuk duhet të injorohen.

“Thjesht, situata aktuale nuk më bën të mendoj për futbollin, por për gjërat e tjera që për momentin janë shumë më të rëndësishme. Tani të gjithë duhet të bashkohemi për të dalë nga kjo situatë”, ka insistuar Goretzka. “Derisa situata të normalizohet, të gjithë kanë nevojë për ndihmë. Pres që nismës sonë të filluar me Joshuan, t’i bashkohen edhe shumë lojtarë të tjerë për shkak se tashmë kemi marrë përkrahje të madhe dhe jemi duartrokitur prej të gjithëve”.

Rrjetet sociale

Me këto veprime, Goretzka ka zbuluar një pjesë të rëndësishme të karakterit të tij.

Në fakt, këto janë veprimet e një të riu të ndërgjegjshëm që po përdor platformën dhe pasurinë e tij për t’i ndihmuar të tjerët.

Postimi i fjalëve nëpër rrjetet sociale me të vërtetë mund të sjellë rehati në këto kohë të çuditshme dhe të izolimit, por shoqërimi i tyre me iniciativa është ajo që e dallon Goretzkan nga bashkëmoshatarët e tij.

Të ngjashme