Lidhjet po e ndajnë Federatën

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Në Federatën më të madhe sportive në vend, pakënaqësitë e tensioni i nisur muaj më parë, po vazhdojnë të rriten.

Në dy prej tri kuvendeve zgjedhore të mbajtura deri më tash nëpër Lidhjet Rajonale të Futbollit (LRF), nga shtatë sa e përbëjnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), pati pakënaqësi, akuza për parregullsi dhe së fundi edhe tension.

Në Kuvendin zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Pejës, sipas klubit më të madh të saj, Besa, u desh intervenimi i policisë. Besa ka akuzuar kryetarin e kësaj lidhjeje, Bakir Burrin, që me çdo kusht ka kërkuar rizgjedhjen, pa pasur përkrahjen e anëtarëve. Sipas Besës, Burri përsëriti votimin derisa mori votat e mjaftueshme. Herën e pestë, po sipas komunikatës së dhënë nga klubi pejan, Burri ftoi edhe policinë të jetë e pranishme në hapësirën ku po mbahej mbledhja, të martën mbrëma, shkruan Koha Ditore.

Pakënaqësi, është raportuar të ketë pasur edhe në Kuvendin e lidhjes rajonale të Mitrovicës, ku për kryetar u rizgjodh Xhelal Broja. Votimi, sipas mediave lokale – pasi komunikatë për ngjarjen nuk pati as nga lidhja e as nga Federata – ishte i ngushtë dhe plot polemika. Deri më tash, vetëm votimi në Gjilan ka shkuar pa zhurmë dhe aty postin e kryetarit e ka fituar Naser Ajeti, ish-futbollisti i klubit Gjilani.

Ka mbetur të mbahen kuvendet edhe në katër lidhjet e tjera, në atë të Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjakovës, para se më 27 janar ta mbajë Kuvendin zgjedhor vetë FFK-ja. Edhe për Kuvendin e FFK-së ka kohë që ka akuza e qëndrime të kundërta. Ata që janë në udhëheqje të Federatës planifikojnë të mbajnë zgjedhje vetëm për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë ish-zv.sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Arianit Ahmeti, thotë se zgjedhje duhet të ketë edhe për kryetar. Sipas tij, kryetari Agim Ademi më 2018 u zgjodh për të vazhduar mandatin e lënë pas vdekjes së Fadil Vokrrit, të cilit do t’i përfundonte tash në janar, së bashku më të anëtarëve të KE-së. Por Ademi dhe zyrtarët e tjerë në Federatë thonë se zgjedhja e tij u bë për katër vjet, që i bie se tash e tutje çdo dy vjet do të ketë zgjedhje: njëherë për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv e njëherë për kryetar.

Të ngjashme