Ligat më të forta 20 vite më parë, dominonin Lazio e Deportio La Coruna

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Kampionatet e futbollit janë pezulluar pothuajse në gjithë botën, kështu që është koha të kujtojmë se si dukshin ligat më të forta dy dekada më parë.

Në sezonin 1999/00, kampioni aktual i Anglisë, Manchester City, nuk ishte fare pjesë e Premierligës. Shumica e tifozëve të Chelseas as që kanë pasur dijeninë se kush është Roman Abramovich.

Rekordi në tregun e transferimeve u vendos nga Inter, që bleu nga Lazio për 32 milionë euro Christian Vierin.

Kujtojmë se në vitin 2017, PSG pagoi gjashtë herë më shumë për të transferuar Neymar nga Barcelona.

Premierliga – Manchester United

Manchester United sezonin 1999/00 e nisi si kampion, ashtu edhe e mbylli, duke përfunduar në vendin e parë, para Arsenal, Leeds United, Liverpool, Chelsea, Aston Villa dhe Sunderland.

Dominimi i Manchester United në Premierligë përfundoi pas pensionimit të Sir Alex Ferguson. Ata nuk kanë fituar titull që nga viti 2013.

Leeds United dhe Bradford City nuk kanë qenë pjesë e elitës me vite më radhë.

Chelsea dhe Manchester City kanë dominuar Premierligën viteve të fundit.

La Liga – Titulli i parë për Deportivo La Coruna

Sezoni 1999/00 do të mbahet mend për disa arsye. Barcelona dhe Real Madrid humbën titullin, në një sezon që kampioni u shpall me më së paku pikë ndonjëherë. Deportivo La Coruna u shpall kampion me 69 pikë të fituara në 38 ndeshje të luajtura.

Klubi drejtohej nga Javier Irureta, dhe golashënuesi më i mirë i tyre ishte Roy Makaay.

Real Madrid kishte përfunduar në vendin e pestë.

Epoka e artë për Deportivon ka përfunduar në vitin 2010. Klubi ka rënë tri herë nga La Liga, ndërsa këtë sezon renditen në vendin e 19.

Real Madrid dhe Barcelona kanë dominuar La Ligan gjatë këtyre 20 viteve, me vetëm Valencian duke fituar dy tituj dhe Atletico Madridin një.

Serie A: Ditët e arta të Lazios

Skuadra e Lazios në sezonin 1999/2000 fitonte tre tituj, duke filluar nga Superkupa e UEFA-s, Kupa e Italisë, dhe triumfi i madh erdhi duke fituar Serie A.

Për Lazion atë sezon luajtën yje të futbollit botëror, si Pavel Nedved, Alessandro Nesta, Diego Simeone, Juan Sebastian Veron dhe Marcelo Salas.

Lazio siguroi titullin në xhiron e fundit, duke shfrytëzuar gabimi e Juventusit që dështoi ndaj Perugia.

Imagjino, një titull i siguruar në xhiron e fundit, falë gabimit të rivalit direkt.

Lazio nuk e përsëriti më këtë sukses, por Kupën e Italisë ia ka dalë ta fitoi.

Këto 20 vite, futbolli italian është dominuar nga Juventus, por tituj kanë fituar edhe Inter dhe Milan.

Të ngjashme