Llapi e akuzon Policinë se përdori dhunë ndaj ndihmës-trajnerit Zhjeqi

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 20:11 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Superligës së Kosovës në futboll Llapi ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka përdorur dhunë mbi personin zyrtar, ndihmës-trajnerin Burim Zhjeqi.

Llapi ka thënë se Njësia Speciale në mënyrë brutale e ka arrestuar Zhjeqin dhe pas tri orëve në stacion policor në Drenas ai është liruar. Llapi ka reaguar edhe se në tribuna ishin mbi 200 shikues. 

“Ne nuk jemi të njoftuar për kompetencat e Policisë së Kosovës në ndeshjet zyrtare të Superligës, a janë ata për të na mbrojtur apo për të na sulmuar e arrestuar vetëm pse kërkojmë sqarim me fjalë për dëmtimet që po i bëhen KF Llapit. Njësoj edhe sot, sikurse në turpin që bënë në ndeshjen Gjilani – Prishtina të edicionit të kaluar, Policia e Kosovës përdor dhunë mbi personin zyrtar, ndihmëstrajnerin e klubit, Burim Zhjeqi i cili arrestohet në mënyrë brutale nga e ashtuquajtura Njësi Speciale. Krejt kjo ndodh kur në ndeshjet tona nuk ka profesionalizëm, sepse personat zyrtar të deleguar nga FFK-ja nuk janë të nivelit të Superligës, veçanërisht nga Delegati i ndeshjes ku në kushte pandemie nuk i largon tifozët nga tribuna, të pranishmit kalonin numrin e mbi 200 shikuesve. Ai merret me personat zyrtar, të cilët kanë drejtë të protestojnë me fjalë, e ai urdhëron Policinë duke iu thënë “lidhni”. Po shfaqim brengën tonë nëpërmjet kësaj video të bashkangjitur rreth asaj se çka ndodhi pas ndeshjes Feronikeli – Llapi në hapësirat e brendshme të stadiumit. Pas më shumë se 3 orëve pritje, ndihmëstrajneri Burim Zhjeqi është liruar nga mbajtja në stacionin policor në Drenas. Ai është i trishtuar me sjelljet e policisë mbi të, i cili ka pësuar trauma nga sjelljet brutale të Njësisë Speciale”, thuhet në reagimin e Llapit në Facebook.

Llapi pësoi sot 1:0 nga Feronikeli në xhiron e nëntë të Superligës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme