Llapi thyen izolimin, javën tjetër del në stërvitje

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Ka më shumë se një javë që skuadrat e Bundesligës kanë rifilluar me stërvitjet në grupe përkundër përhapjes së Coronavirusit në Gjermani, por edhe në mbarë botën.

Klubet gjermane janë rikthyer në fushë, duke kërkuar nga lojtarët që të mbajnë vazhdimisht distancën sociale, të cilët stërviten nëpër grupe të formuara me nga pesë persona. E një model të tillë, paksa më të modifikuar po synon ta bëjë edhe një ekip i Superligës së Kosovës, transmeton KOHA.

Llapi po synon që të bëhet ekipi i parë kosovar që do të rifillojë me stërvitje në këtë kohë pandemie. Përhapja e pandemisë COVID-19 në vendin tonë ka bërë që tash e një muaj të pezullohen të gjitha aktivitetet sportive dhe tubimet publike. Vendimin e mori Qeveria e Kosovës që nga data 13 mars, kur dolën rastet e para të prekura me koronavirus.

Këto masa janë bërë edhe më të rrepta ditëve të fundit, kur vendi pothuajse është futur në bllokim total. Megjithatë, Llapi prej javës së ardhshme, saktësisht ditës së hënë po planifikon me stërvitje grupore në stadium, ku do të punohet me nga pesë lojtarë në grup me orare të ndryshme.

Në fakt, futbollistët e Llapit sikurse ata të skuadrave të tjera të Kosovës ka gati një muaj që po stërviten individualisht në kushte shtëpie, bazuar në planprogramet që i marrin nga shtabi teknik. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, tashmë e ka bërë planin dhe përgatitjet për të rifilluar me stërvitjen në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës.

“E kam përgatitur planprogramin stërvitor ku do të punohet me grupe të vogla, me nga pesë lojtarë dhe duke respektuar të gjitha udhëzimet shëndetësore. Ne po planifikojmë që në stërvitje të dalim nga dita e hënë”, ka insistuar Batatina. “Tashmë e kemi dezinfektuar edhe stadiumin dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet për të rifilluar me stërvitjet. Do të kemi një takim me zyrtarët e Komunës, përpara se të rifillojmë me stërvitje”.

Trajneri Batatina ka thënë se stërvitjet do të bëhen vetëm me futbollistët që jetojnë në Podujevë, duke pasur parasysh se ata që janë nëpër qytetet e tjera e kanë të pamundur udhëtimin për shkak të bllokimit. Por, ai shpreson se brenda një kohe të shkurtër e gjithë kjo situatë do të përfundojë dhe do t’i ketë në dispozicion të gjithë futbollistët për të vazhduar me planin e stërvitjeve.

Sipas Batatinës, stërvitjet individuale dhe në kushte shtëpiake, tashmë janë bërë monotone për të gjithë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme