Lojtarët e Atleticos pajtohen për ulje të pagës, për të ndihmuar 430 punëtorët e klubit

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Lojtarët e Atletico Madridit janë pajtuar për ulje të pagave për 70 për qind, është bërë e ditur të enjten.

Me paratë që do të kursehen, klubi i madh spanjoll i futbollit pritet të jetë në gjendje të paguajë 430 punëtorët tjerë.

Lojtarët e ekipit të parë, lojtaret, lojtarët e ekipit B dhe shtabi teknik i klubit kanë nënshkruar një marrëveshje që përfshinë dy skenarë të ndryshëm, varësisht nga ajo se kur do të përfundojë edicioni për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Skenari i parë parasheh ulje prej 70 për qind të pagave për lojtarët dhe stafin teknik, gjatë kohës sa në Spanjë do të jetë në fuqi gjendja emergjente.

Skenari i dytë parasheh që ekipi i parë dhe menaxhmenti i klubit të mbulojnë nga 50 për qind të të hyrave të stafit tjetër të klubit.

Të hënën, Lionel Messi njoftoj që lojtarët e Barcelonës janë pajtuar për ulje prej 70 për qind të pagave, për të ndihmuar të punësuarit e klubit.

Në Premier League, lojtarët ende nuk kanë arritur marrëveshje për ulje të pagave. Disa klube të Premier Leagues si Tottenhami dhe Newcastle kanë pushuar stafin, që nënkupton se qeveria do të paguaj 80 për qind të pagave të tyre gjatë kohës sa ata nuk do të punojnë.

Të ngjashme