Marquez rrëzon Rossin, spanjolli kërkon falje

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 09:53 | Nga

Momente tensioni u përjetuan në përfundim të Çmimit të Madh të Argjentinës në MotoGP, në bokset e Yamaha-s.

Marc Marquez shkoi aty për të sqaruar aksidentin me Valentino Rossin, të cilin e rrëzoi pas një parakalimi të rrezikshëm kur duheshin edhe 3 xhiro nga përfundimi i garës.

I shoqëruar nga babai i tij dhe menaxheri, Marquez u refuzua nga stafi i veteranit italian, me Alessio Saluccin që i tha: “Mos guxo të vish këtu!”

Marquez u detyrua të largohej pa u takuar me kundërshtarin e tij.

Më vonë, përpara mediave, Rossi lëshoi akuza të forta ndaj kampionit spanjoll: “Marquez bën çfarë të dojë në pistë. Sinqerisht, nuk duhet të më afrohet fare dhe as të më shikojë në sy. Është i rrezikshëm dhe unë kam frikë të qëndroj në pistë me të. Nuk është sport kontakti gara me motora. Ai më goditi mes këmbës dhe motorit, duke më rrëzuar. Po e shkatërron sportin tonë”.

Por, Marquez e mendon ndryshe. Ai iu përgjigj kështu akuzave të italianit: “Doja të parakaloja dhe nuk kisha qëllim që ta rrëzoja. Kërkova falje. Nuk bëra çmenduri, isha në pjesën e brendshme të kthesës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme