Mayweather i gatshëm ta ndëshkojë sërish McGregorin

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Legjenda e boksit, Floyd Mayweather është tallur me pensionimin e fundit të luftëtarit Conor McGregor duke thënë se “do të pres” për meçin e dytë të boksit me të.

Superylli i UFC-së, serisë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera, McGregor, ka thënë se ka vendosur të pensionohet nga luftimi. Është hera e treta në katër vjetët e fundit që ai ka paralajmëruar tërheqjen.

Mayweather është përgjigjur përmes rrjeteve sociale: “Nëse nuk gaboj, t’i i ke thënë Mike Tysonit se do të mund të më mposhtje nëse do të boksonim për herë të dytë. Tani po tërhiqesh. Kam menduar se dëshiron të mposhtësh më të mirin. Mirë, nëse dëshiron të kthehesh, unë do të pres për të ndëshkuar sërish”.

Mayweather e kishte mposhtur McGregorin në një meç shumëmilionësh të boksit në vitin 2017. Më pas ishte pensionuar nga boksi me bilancin e jashtëzakonshëm 50-0.

McGregor prej atëherë ka luftuar dy herë në kafazin e UFC-së. Por e ardhmja e tij tani është e dyshimtë, ndonëse dy herë ka tërhequr vendimet për pensionim.

Të ngjashme