Messi e befason tifozin 100-vjeçar, i cili e shënon çdo gol të argjentinasit në fletoren e vet

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi e ka befasuar një tifoz të vetin të veçantë, i cili nuk është çfarëdo tifozi. Hernan Mastrangel është një tifoz unik me tregime të veçanta. Ai e shënon çdo gol të Messit në fletoren e vet.

Tregimi për Hernanin bëri bujë të madhe në rrjetet sociale sepse 100-vjeçari e shënon me dorë dhe një laps të thjeshtë çdo gol të Messit, qoftë ai për Barcelonën apo Argjentinën, në fletoren e vet, raporton Gazeta Express.

Messi mësoi për Hernanin së fundmi dhe pasi e fitoi Kupën e Amerikës 2021 – trofeun e parë të madh dhe shumë të munguar me Argjentinën – vendosi ta përshëndes atë përmes një videoje të incizuar.

“Përshëndetje Hernan. Tregimi juaj arriti tek unë” thotë Messi në video.

“Më duket çmenduri që ju i keni regjistruar golat e mia në atë mënyrë dhe kjo është arsyeja përse unë dëshiroj t’ju dërgoj shumë përqafime për atë që jeni duke e bërë”, theksoi Messi drejtuar Hernanit.

Pasi nipi i tij Julian ia tregoi videon e Messit, Hernani tha: “Mos më thuaj se ky është Messi”.

“Unë gjithmonë ju kam përcjell dhe do t’ju përcjell deri në fund. Do të jem pas teje”, ka thënë Hernan për Messin pasi e ka parë videon e tij.

Të ngjashme