Messi mund të largohet pa asnjë qindarkë në verë, këto janë 5 klubet që e duan

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

E ardhmja e Lionel Messit në Barcelonë ka nisur të duket e pasigurt. Ylli i lindur në Rosario ka dy dekada që jeton në Barcelonë, por ngjarjet e fundit në zemër të klubit katalonas mund ta shtyjnë atë ta mendojë largimin dhe kalimin në një klub të ri.

Gazeta e përditshme italiane “Gazzetta Dello Sport”, pretendon në një shkrim në ballinën e së enjtes së disa klube të mëdha janë duke u përgatitur për largimin e mundshëm të Messit nga Barcelona, duke shpresuar se ai do ta aktivizojë klauzolën e largimit në kontratën e tij me Barçën.

Siç dihet tashmë, Messi ka një klauzolë e cila ia mundëson atij largimin nga Barcelona pa asnjë qindarkë në verën e këtij viti. E gjitha çka duhet të bëjë argjentinasi për ta aktivizuar këtë është ta lajmërojë klubin një muaj përpara.

Situata në Barcelonë është pak a shumë kaotike, me Messin që i reagoi publikisht sekretarit teknik të klubit, Eric Abidal.

Bisedimet për vazhdimin e kontratës së numrit 10 nuk kanë nisur ende dhe konfrontimi publik me Abidalin e bëjnë largimin e Messit të mundshëm.

Sipas të përditshmes italiane, pesë klube janë të interesuara për Messin dhe njëra prej tyre mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm: Paris Saint-Germain, Manchester City, Manchester United, Juventus dhe Inter.

Edhe pse këtyre klubeve nuk do t’iu duhej të paguanin për transferimin e tij, mbajtja e Messit do t’iu kushtonte shumë miliona euro.

Gazeta italiane vlerëson se paga e Messit do t’u kushtonte atyre nga 50 deri në 85 milionë euro në vit.

Ndërkohë, sipas Daily Mail në Angli, Manchester City është favorit për shërbimet e Messit. 

Të ngjashme