Mike Tyson planifikon të kthehet në ring për meçe ekzibicionale

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i ish-kampionit të botës në peshën e rëndë në boks Mike Tyson për t’u kthyer në stërvitje është pritur me entuziazëm nga tifozët dhe nga disa boksierë, pasi ai ka postuar një video të shkurtër ku ende shihet se ka mjaft shpejtësi dhe fuqi, shkruan agjencia Reuters.

Tyson 53-vjeçar po planifikon të ngjitet në ring për meçe ekzibicionale. Ish-kampioni i botës ka thënë se në ring do të ngjitet për të mbledhur para për bamirësi.

Në videon e postuar në Instagram, Tyson shihet duke stërvitur me trajnerin Rafael Cordeiro.

“Unë kam stërvitur dhe po tentoj të kthehem në ring. Mendoj se do të bëjë disa meçe ekzibicionale dhe do të kthehem në formë. Dua të kthehem në palestër dhe të kthehem në formë për të boksuar në meçe ekzibicionale tri apo katër raunde për bamirësi. Bëjë stërvitje kardio dy orë, në biçikletë statike dhe shirit vrapimi, më pas bëjë ngritje të peshave, 300, 250 përsëritje”, ka thënë Tyson në një bisedë në “Instagram Live” me reperin T.I. “Më pas nisi ditën time me gjëra boksi, ushtrojë 30 minuta, 25 minuta në ring, po kthehem në formë”.

Cordeiro është befasuar me formën e Tysonit.

“Ai nuk ka goditur në doreza për gati dhjetë vjet. Nuk prisja të shihja këtë. Pash një djalë me shpejtësinë e njëjtë, fuqinë e njëjtë, si të 21 apo 22-vjeçarëve”, ka thënë Cordeiro për “ESPN”. “Mund t’u them se duhet të jeni në formë për të bërë stërvitje me Miken. Nëse nuk jemi të përgatitur atëherë do të rrëzoheni, kjo është e sigurt. Fuqia e tij është e një niveli tjetër. Unë kam ushtruar shumë boksier të peshës së rëndë në karrierën time. Goditja e tij me të djathtën, mund ta ndjesh atë, mund të vras ndokënd. Ajo që mund t’u them është se nëse ai dëshiron të bëjë di[ka në të ardhmen, do të jetë i gatshëm për këtë. Nëse dëshiron të kthehet në boks, jepini gjashtë muaj kohë, dhe ai mund të boksojë kundër cilitdo. Nuk është shaka kjo”.

Tyson është pensionuar nga boksi pas humbjes nga Kevin McBride në vitin 2005, por ende ekziston bujë për rikthimin e tij në ring.

“Nuk po mund të besoj këtë, është një nivel tjetër”, ka thënë kampioni i UFC-së në peshën e lehtë Khabib Nurmagomedov, pasi e ka parë videon.

Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë George Foreman, ka insistuar se Tysoni i ka dhënë mjaft sportit.

“Tysoni ka bërë disa gjëra të mëdha në boks. Nuk ka më nevojë të kthehet. Ai është në Hollin e të Famshëmve dhe kishte grusht të fuqishëm”, ka thënë Foreman.

Tyson ende mban rekordin si boksieri më i ri që ka fituar titull bote në peshën e rëndë në boksin profesionist. Ai e fitoi titullin në vitin 1986 si 20-vjeçar, duke e mposhtur Trevor Berbickun. Në boksin profesionist Tyson fitoi 50 nga 58 meçet e tij.

Të ngjashme