Milik kishte pirë duhan si gjashtëvjeçar dhe kishte vjedhur nëpër shitore

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 19:53 | Nga Ekonomia Online

Manchester Unitedi do të bëjë transferimin e sulmuesit polak të Napolit, Arkadiusz Milik, prioritet këtë verë.

Trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer e sheh Milikun 26-vjeçar si zëvendësim të denjë për Romelu Lukakun.

Por Milik nuk ka pasur një fëmijëri ideale dhe ishte braktisur nga babai kur ishte i vogël.

Në moshën 6-vjeçare Milik ka pirë duhan dhe ka vjedhur nëpër shitore, shkruan “The Sun”, transmeton Koha.net.

Por, ishte një trajner polak i futbollit që pa talentin e tij dhe e ndihmoi Milikun të realizonte ëndrrën që të bëhej futbollist profesionist.

I lindur në Tychy, një qytet i vogël rreth 20 kilometra nga Katowice, babai i Milikut e braktisi familjen.

Ishte Slawomir “Moki” Mogilan, një trajner lokal i futbollit, që mori rolin e figurës atërore.

Ai e drejtoi Milikun drejt realizimit të potencialit, ndonëse Milik kishte dalë nga binarët që në moshën 6-vjeçare.
“Në moshën gjashtëvjeçare ai ishte i pacipë, pinte duhan dhe vidhte sheqerka nëpër shitore”, kishte zbuluar Mogilan për gazetën “AS”.

Milik e pranon ndikimin e Mogilanit në jetën e tij.

“Moki u paraqit në jetën time dhe më shpëtoi”, ka thënë sulmuesi.

Milik dikur kishte treguar se e ka pasur ëndërr që të luante për Manchester Unitedin.

“Unë jam adhurues i Manchester Unitedit, kështu që do të doja që një ditë të luaja në ‘Old Trafford’. Për tash jam futbollist i Bayer Leverkusenit dhe jam shumë larg nga Manchesteri”, kishte thënë Milik në kohën sa ishte pjesë e Leverkusenit.

Partneri i tij ideal në sulm do të ishte bashkëkombësi i tij Robert Lewandowski, që ishte kërkuar në të kaluarën nga Unitedi.

“Do të ishte kënaqësi të luaj me Robertin në një skuadër, veçanërisht te Manchester Unitedi”, kishte thënë Milik.

Por Milik ka mundur të përfundonte në Premier League shumë më herët.

Në vitin 2011 ai ishte në prova te Tottenhami, ku trajner ishte Harry Redknapp.

Por, pasi dështoi të impresiononte trajnerët, Tottenhami vendosi të mos paguante 100 mijë funte Rozwoj Katowices për Milikun, duke besuar se në klub kishte shumë sulmues më të mirë.

Po ashtu edhe klubi i Kategorisë së Dytë të Anglisë, Reading, hoqi dorë nga transferimi i Milikut, para se polaku të shpërthente në skenë një vit më vonë.

Miliku impresionoi te Gornik Zabrze në stinorin e tij të dytë si profesionist.

Në stinorin 2012-13, ai shënoi tetë gola në 15 ndeshje, duke bindur krerët e klubit gjerman Bayer Leverkusen që të paguanin 2.5 milionë funte për sulmuesin.

Mirëpo, Milik dështoi të përshtatej në Gjermani dhe kulmi ishte gjatë huazimit të pasuksesshëm te FC Augsburg, ku shënoi vetëm dy gola në 20 ndeshje.

Ai u huazua më pas te Ajaxi, një lëvizje që ia shpëtoi karrierën.

Në vitin 2015, Ajaxi vendosi të transferonte plotësisht Milikun.

Polakun e solli për të zëvendësuar Kolbeinn Sigborssonin dhe Milik shënoi 47 gola në 75 ndeshje.

Trajneri Frank de Boer arriti të gjente pozitën ideale, duke e aktivizuar Milikun më në qendër.

Po ashtu Milikun e ndihmoi edhe stërvitja me Dennis Bergkampin.

“Jam lojtar më i mirë tash se që isha në verën e vitit 2014”, kishte thënë Milik në vitin 2016 për “ELF Voetball”. “Duke e pasur Bergkampin në mesin e trajnerëve te Ajaxi sigurisht se është ndihmë e madhe. Ai është gjithmonë aty. Edhe pas stërvitjeve ai dëshiron të na ushtrojë si të gjuajmë. Kështu edhe kam stërvitur këmbën time më të dobët. Vërtet më ka ndihmuar duke punuar me një legjendë si Bergkampi. Ka të bëjë me detajet e vogla, gjërat e sulmuesve”.

Pas një viti, ku reputacioni i tij në skenën evropiane u rrit falë paraqitjeve impresive në Ligën e Evropës, erdhi oferta nga Serie A.

Napoli pagoi rreth 32 milionë funte për Milikun, duke shpresuar se ai do të jetë njeriu që më në fund do të ndihmojë klubin që të largojë Juventusin nga froni në futbollin italian.

Mirëpo, pas një fillimi të suksesshëm te Napoli, ku shënoi dy gola kundër Milanit, Dynamo Kievit dhe Bolognas, erdhi një lëndim serioz i gjurit.

Këputja e ligamenteve të gjurit në ndeshjen e Polonisë ndaj Danimarkës ia rrezikoi stinorin.

Mirëpo katër muaj më vonë ai u kthye me fanellë të Napolit dhe vazhdoi të përmirësohej.

Stinorin e kaluar Milik shënoi 20 gola në të gjitha garat. Këtë stinor ai shënoi 12 gola para se koronavirusi të pezullonte futbollin.

Një sulmues i natyrshëm, nuk ka dyshim se Milik do t’i ofronte Ole Gunnar Solskjaerit atë lloj sulmuesi që po i mungon te Manchester Unitedi.

Të ngjashme