Nadal e Djokovic e dominuan botën e tenisit

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Tenisti spanjoll dhe ai serb i kanë fituar nga dy turne të mëdhenj “Grand Slam” në vitin 2019.

Rafael Nadal dhe Novak Djokovic e kanë dominuar botën e tenisit në vitin 2019.

Tenisti spanjoll dhe ai serb gjatë vitit që shkoi i kanë fituar nga dy turne të mëdhenj “Grand Slam”, shkruan Gazeta Express.

Spanjolli ka triumfuar në US Open dhe French Open, kurse serbi në Austalian Open dhe Wimbledon.

Në Australian Open, Djokovic ishte i pandalshëm dhe në finale e mundi pikërisht Nadalin me lehtësi, 3:0 në sete: 6-3, 6-2 e 6-3.

Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, japonezja Naomi Osaka e mundi çeken Petra Kvitova 2-1 në sete, 7-6, 5-7 e 6-4.

Në French Open, respektivisht Roland Garros, Nadal festoi në fund. Spanjolli e mundi në finale tenistin Dominic Thiem në finalen e përsëritur të vitit 2018. Nadal fitoi 3:1 në sete, 6-3, 5-7, 6-1 e 6-1.

E në konkurrencën e femrave, australiania Ashleigh Barty e fitoi Grand Slamin e parë në karrierë. Ajo e mundi Marketa Vondrousovën në finale me lehtësi, 2:0 në sete, 6–1 e 6–3.

Në Angli, Wimbledoni përfundoi në duart e Djokovicit. Ai e mbrojti titullin e kampionit pasi e mundi në finale zviceranin Roger Federer.

Në një meç legjendar, i cili zgjati 4 orë e 57 minuta, serbi fitoi 3:2 në sete, 7–6, 1–6, 7–6, 4–6, 13–12. Kjo ishte finalja më e gjatë në histori të Wimbledonit.

Në konkurrencën e femrave, Simona Halep e mundi Serena Williamsin në finale 2:0 në sete, 6–2, 6–2. Asaj iu nevojitën vetëm 56 minuta për ta fituar titullin e merituar, raporton GE.

Në US Open, sërish fitues doli Rafael Nadal. Ai në finale e mundi rusin Daniil Medvedev për ta fituar titullin e 19-të të Grand Slamit në karrierë. 33 vjeçari fitoi 3:2 në sete, 7-5, 6-3, 5-7, 4-6 e 6-4.

Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, Bianca Andreescu e fitoi titullin e parë të Grand Slamit në karrierë. Ajo e mundi në finale amerikanen Serena Williams 2:0 në sete, 6-3 e 7-5. Andreescu u bë kanadezja e parë në histori që e fiton një Grand Slam.

Të ngjashme