Në familjen e kampionëve po rritet edhe një xhudiste

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Tre xhudistë me mbiemrin Gjakova ishin pjesë e kampit të madh, që më herët këtë muaj u mbajt në Mittersill të Austrisë.

Kampionët Nora Gjakova dhe Akil Gjakova ka kohë që vitin e nisin në kampin që mbledh nga 1.100 xhudistë të mbi 50 vendeve.

Për herë të parë atyre në Mittersill iu bashku edhe Debora Gjakova, motra e vogël.

Është kjo një shenjë që në familjen e kampionëve, familjen Gjakova nga Peja, po rritet edhe një xhudiste.

Trajneri Driton Kuka, që është i matur në vlerësimin e sportistëve të rinj, beson fuqishëm në potencialin e Deborës, që ende po kalon shkallët e para drejt ngritjes në nivel më të lartë.

“Mendoj që ka potencial të madh. Tash e tutje do të merremi më seriozisht me të. Pos potencialit, Deborën e karakterizon edhe serioziteti i lartë dhe disa predispozita të mira për karrierë në xhudo”, ka thënë trajneri Kuka.

Nora e Akil Gjakova ishin bindshëm sportistët më të mirë në vend në vitin 2018.

Nora fitoi medalje të artë në kampionatin evropian për seniorë, ndërsa Akili fitoi evropianin U-23 dhe të artën në Grand Slam të Parisit, ndër të tjera.

Ata tashmë i takojnë nivelit më të lartë të xhudos. Këtë nivel e synon edhe Debora.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme